Gjykata e Lartë e Iranit ka anuluar dënimin me vdekje për tre të pandehurit që dyshohet se kanë luajtur rol në vrasjen e një oficeri të sigurisë, por konfirmoi dënimin me vdekje për dy të tjerë në këtë rast. Amir Hashemi, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Gjykatën e Lartë, ka njoftuar në llogarinë e tij në Twitter më 3 janar se në bazë të vendimit të gjykatës, dënimi me vdekje për Hamid Qarahasanlou, Hossein Mohammadi dhe Reza Aria anulohet për shkak të një defekti në hetim. Megjithatë, gjykata hodhi poshtë ankesat e Mohammad Mahdi Karmi dhe Seyed Mohammad Hosseini, duke konfirmuar dënimin e tyre me vdekje – që vjen nga i njëjti incident.

Autoritetet kanë akuzuar 16 protestues se kanë shkaktuar vdekjen e një anëtari të forcës paraushtarake Basij gjatë protestave anti-qeveritare. Të gjithë të akuzuarit mohojnë akuzat, duke thënë se ata ishin në shënjestër në protestat mbarëkombëtare të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit. Gruaja kurde iraniane ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit për shkelje të kodit islamik të veshjes së vendit. Protestat për muaj të tërë kanë mbërthyer mbarë Iranin, pavarësisht shtypjes brutale nga shteti, që për pasojë janë vrarë qindra demonstrues dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.

Ato janë shndërruar në pakënaqësinë më të gjatë publike ndaj regjimit klerik të shtetit, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar Teheranin kundër shqiptimit të dënimeve me vdekje për protestuesit, pas proceseve të përshpejtuara gjyqësore, që disa i kanë cilësuar si drejtësi “të rreme”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb