Irani mirëpret përpjekjet diplomatike për të zgjidhur mosmarrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore.

Kështu ka thënë Ministri i i Jashtëm iranian, sipas mediave shtetërore, një ditë pasi kryediplomati i BE-së propozoi një projekt-tekst të ri për të ringjallur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 me Teheranin.

Ministri i Jashtëm, Hossein Amirabdollahian i tha shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell më 27 korrik se Irani “mirëpret vazhdimin negociatave”.

Amirabdollahiani, i cili foli me telefon me Borrellin, shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani duhet të tregojnë se kërkojnë gjithashtu një marrëveshje.

“Shtetet e Bashkuara gjithmonë deklarojnë se duan një marrëveshje, kështu që kjo qasje duhet parë në praktikë”, tha ai.

Borrell tha më 27 korrik se “tani është koha për marrjen e vendimit” nëse palët që kanë qenë të angazhuara në bisedimet e gjata në Vjenë duan të shpëtojnë marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha në një opinion të botuar në Financial Times se ai ka arritur në përfundim se “hapësira për kompromise të tjera të rëndësishme është ezauruar”. Ai tha se ka vënë në tryezë një tekst që trajton në detaje hapat që duhen për të rivendosur marrëveshjen.

“Ky tekst përfaqëson marrëveshjen më të mirë të mundshme që unë, si lehtësues i negociatave, e shoh si të realizueshme”, shkroi ai. “Unë nuk shoh asnjë alternativë tjetër gjithëpërfshirëse ose efektive të arritshme”.

Ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna komentoi gjithashtu më 27 korrik në lidhje me marrëveshjen, dhe tha se një rikthim në përputhje të plotë me marrëveshjen “është ende i mundur, por për këtë nevojitet një përgjigje pozitive nga Irani sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, Irani është pajtuar për të kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Marrëveshja ka nisur të mos zbatohet kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump i pati larguar Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja më 2018.

Uashingtoni më pas ka vënë sanksione të ashpra ndaj Teheranit, ndërsa Qeveria iraniane, e cila mohon se synon të ndërtojë bombë, ka nisur t’iu shmanget përkushtimeve të bëra në marrëveshje.

Për më shumë se një vit, Irani është duke negociuar me Britaninë, Gjermaninë, Francën, Rusinë dhe Kinën, në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë indirekte, me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.

Negociatorët është thënë se kanë qenë afër arritjes së marrëveshjes në muajin mars, mirëpo bisedimet janë bllokuar papritur në muajin prill, pasi Teherani dhe Uashingtoni kanë fajësuar njëri-tjetrin se nuk kanë bërë zotime të mjaftueshme politike për zgjidhje të çështjeve të kontestueshme.

Në fillim të muajit qershor, Teherani ka thënë se ka nisur të largojë 27 kamera vëzhgimi nga zonat bërthamore që ka në Iran, duke kufizuar edhe më shumë mundësitë e Perëndimit që të vëzhgojë programin bërthamor të këtij shteti.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: