Irani ka mohuar raportet që lidhin Teheranin me një sulm me raketa në aeroportin ndërkombëtar në Erbil.

“Irani jo vetëm që i mohon fuqishëm këto zëra, por po ashtu dënon ashpër përpjekjet e dyshimta për t’i atribuar sulmin Iranit”, tha në një deklaratë Saeed Khatibzadeh, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit.

Khatibzadeh tha se Irani e sheh stabilitetin dhe sigurinë e Irakut si një çështje kryesore për rajonin dhe se është kundër çdo hapi që prish rendin dhe paqen në vend.

Duke e quajtur sulmin “të dyshimtë”, Khatibzadeh i bëri thirrje qeverisë irakiane të ndërmarrë hapat e nevojshme për ta hetuar atë dhe për të arrestuar autorët.

Një grup i armatosur irakian, i quajtur Gardiani i Brigadave të Gjakut,  tha se mbrëmë vonë ka lëshuar 24 raketa në aeroport. Një kontraktor amerikan u vra dhe gjashtë persona të tjerë, përfshirë një ushtar amerikan, mbetën të plagosur në sulm.

Sipas mediave irakiane, grupi është anëtar i grupit irakian Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Më parë, grupi ka pretenduar sulme ndaj forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër grupit terrorist DEASH në Irak.

Shtatorin e kaluar, një sulm tjetër me raketa nga militantë të panjohur shënjestroi aeroportin e Erbilit, por pa shkaktuar asnjë viktimë. Në atë kohë, Qeveria Rajonale Kurde (KRG) në Irakun verior akuzoi milicinë Hashd al-Shaabi se qëndron pas sulmit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb