Irani pritet të jetë një nga temat kryesore të takimit G-20 në Japoni, ku udhëheqësit e vendeve të industrializuara takohen të premten dhe të shtunën në samitin e përvitshëm. Ndërkohë, diplomatët amerikanë dhe iranianë u takuan me homologët evropianë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për krizën që lindi pasi Shtetet e Bashkuara braktisën marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015 me Iranin. Tensionet amerikane me Iranin po ashtu u trajtuan në takimin e NATO-s në Belgjikë një ditë më parë.

Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare në NATO zhvilluan një takim dy ditor në Bruksel për të trajtuar çështjet themelore të sigurisë, përfshi kërcënimin bërthamor nga Irani. Shefi amerikan i mbrojtjes në detyrë, Mark Esper, tha se regjimi ka mbjellë kaos dhe konflikt në Lindjen e Mesme për 40 vjet dhe duhet të ndalet.

“Veprimet armiqësore të Iranit janë një problem ndërkombëtar dhe prekin të gjitha vendet. Këtu përfshihen qëllimet e tyre bërthamore, programi në rritje i raketave balistike, mbështetja për terrorizmin ndërkombëtar dhe sulmet ndaj lundrimit të lirë në Detin e Arabisë, Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit dhe hapësirën ajrore ndërkombëare javën e kaluar.”

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzuar javën e shkuar pasi Irani rrëzoi një dron amerikan, duke thënë se shkeli hapësirën ajore. Uashingtoni i mohon akuzat duke thënë se nuk dëshiron luftë me Iranin. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg:

“Shtetet e Bashkuara në mënyrë të qartë kanë deklaruar se nuk duan luftë, duke thënë se janë të gatshëm të bisedojnë me Iranin pa parakushte. Mesazhi nga aleatët është se ne mbështesim përpjekjet për të ulur tensionet, për të shmangur llogratitjet e gabuara, incidentet,

aksidentet dhe sidomos situatat që mund të dalin jashtë kontrollit dhe mund të krijojnë një gjendje mjaft të rrezikshme.”

Në vend të reagimit ushtarak, Uashingtoni përdori sanksionet ekonomike ndaj Iranit. Brian Hook është përfaqësues i posaçëm amerikan për Iranin.

“I jemi përkushtuar politikës për presion maksimal ekonomik sepse po funksionon. Po pengon të ardhurat në nivele historike për regjimin. Lidhjet e tyre në mbarë rajonin po dëmtohen financiarisht.”

Udhëheqësit iranianë kanë reaguar me zemërim ndaj sanksioneve që kanë dëmtuar ekonominë e tyre duke i quajtur akte lufte. Abbas Araghchi është Zëvendësministër i Jashtëm i Iranit.

“Ata (Amerika) po përdorin fuqinë e tyre ekonomike, po vënë sanksione si një lloj arme. Po përballemi me një koncept shumë të ri: armatimi i dollarit. Ata përdorin dollarin si një armë për të imponuar vizionin e tyre, politikat e tyre ndaj vendeve dhe kjo duhet të ndalet.”

Një luftë me Iranin nuk ka mbështetje as brenda dhe as jashtë vendit. Presidenti francez Emmanual Macron e bëri këtë të qartë me të mbërritur në Osaka.

“Duhet të arrijmë uljen e tensioneve me Iranin dhe të vazhdojmë politikën e sigurisë në gadishullin korean.” Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një legjislacion që do të kërkonte miratimin e Kongresit për një sulm ushtarak ndaj Iranit./VOA

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb