Irani thirri të dërguarin zviceran në Teheran, i cili përfaqëson interesat amerikane, pasi Washingtoni akuzoi Iranin për sulmin e fundit që vrau dy pjestarë të shërbimit amerikan në Irak.

Ambasadori Markus Leitner u thirr në Ministrinë e Jashtme dhe “është paralajmëruar për pasojat e çdo mase të paarsyeshme nga amerikanët”, tha Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë.

“Pas komenteve të pabaza të presidentit amerikan se Republika Islamike e Iranit mban përgjegjësi për sulmin ndaj bazës së forcave të koalicionit në al-Taji të Irakut, ambasadori zviceran në Teheran, i cili përfaqëson interesat e SHBA-së, u thirr nga Drejtori Gjenerali për Amerikën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të premten në mbrëmje, 13 Mars 2020, dhe u njoftua për protestën e ashpër të vendit tonë kundër këtyre komenteve”, tha zëdhënësi i ministrisë Seyyed Abbas Mousavi në një deklaratë.

“Përfaqësuesit të interesave të Shteteve të Bashkuara iu tha në takim se në vend që të akuzonte të tjerët, presidenti amerikan duhet të pranojë të vërtetën për politikat e gabuara të SHBA-së mbi praninë e paligjshme në Irak dhe vrasjen e komandantëve dhe ushtarëve irakianë, e cila është bërë arsyeja kryesore për urrejtjen e popullit irakian ndaj SHBA-së”, tha Mousavi.

Ai gjithashtu tha se “politikat e gabuara të SHBA-së” në Irak kanë krijuar tensionet aktuale dhe se zyrtarët e SHBA-së dhe presidenti Donald Trump në veçanti “nuk mund të heqin përgjegjësinë duke bërë komente të pabaza dhe të rrezikshme”.

Baza ajrore ushtarake irakiane Al-Taji, e vendosur 85 kilometra në veri të Bagdadit, në të cilën janë të vendosura forcat amerikane, u shënjestrua të mërkurën nga dhjetë raketa Katyusha, sipas rrjetit të sigurisë shtetërore të Irakut.

Dy pjestarë të shërbimit amerikan dhe një shtetas britanik u vranë, kurse 12 të tjerë u plagosën në bazën ajrore, e cila strehon forca të përbashkëta, duke përfshirë ushtarë irakianë dhe amerikanë, si dhe forca të tjera të huaja nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA.

Mediat amerikane për sulmin fajësuan grupet e mbështetura nga Irani në Irak.

Të enjten herët, koalicioni anti-Daesh i udhëhequr nga SHBA goditi tre pozicione ushtarake në Sirinë lindore që i përkisnin ushtrisë iraniane, sipas burimeve në provincën Deir ez-Zor.

Baza ushtarake Imam Ali, e vendosur afër qytetit lindor sirian të Abu Kamal afër kufirit Irakian, dhe pikat ushtarake në rajone industriale dhe zonën al-Hizam, ishin në shënjestër të sulmeve ajrore të koalicionit, thanë burimet.

Gjithsej 25 terroristë të lidhur me grupet e huaja të mbështetura nga Irani, përfshirë dy të ashtuquajtur komandantë të lartë ushtarakë, u neutralizuan dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Të shtunën, baza ajrore ushtarake Al-Taji u shënjestrua nga raketa për herë të dytë brenda kësaj jave. Nuk u raportua për viktima ose dëme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb