Irani po vazhdon të zhvillojë programin e tij bërthamor edhe pse pandemia COVID-19 ka një efekt shkatërrues mbi vendin, tha sot qeveria iraniane.

Ali Akbar Salehi, i cili drejton Organizatën e Energjisë Atomike në Iran, i tha televizionit shtetëror se një gjeneratë e re centrifugash do të viheshin së shpejti në përdorim online në uzinën e pasurimit në Natanz.

Irani ka deklaruar prej kohësh se përdor aftësitë e tij bërthamore për qëllime paqësore, përfshirë prodhimin e energjisë dhe trajtimet mjekësore.

Salehi tha se gjatë pandemisë, e cila ka vrarë më shumë se 3 800 njerëz në vend, programi bërthamor është përdorur për të ndihmuar për prodhimin e furnizimeve mjekësore.

Sipas presidentit Hassan Rowhani, programi bërthamor iranian tani është më i përparuar sesa ishte përpara marrëveshjes bërthamore të 2015 me fuqitë botërore, veçanërisht kapacitetin e pasurimit të uraniumit.

Por, Rowhani tha se një dalje totale e Iranit nga marrëveshja nuk ishte në rendin e ditës.

Marrëveshja e Vjenës kishte për qëllim që Irani të kishte një program bërthamor civil, ndërsa parandalonte armët bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Marrëveshja filloi të zbehet në 2018 pasi administrata Trump tërhoqi SHBA nga kjo marrëveshje dhe vendosi sanksione.

Rowhani përsëriti se Irani ishte i gatshëm në çdo kohë të kthehej plotësisht te marrëveshja sa më shpejt që palët e tjera të përmbushin detyrimet e tyre dhe, veçanërisht, të hiqnin sanksionet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: