Analisti Poli Hoxha, i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” në News24, komentoi me ironi dhe shqetësim videon që ka bërë xhiron e botës, ku kryeministri Edi Rama u tall me ish-presidentin amerikan Donald Trump, gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron dhe atë të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në Kopenhagë.
Në video, Rama i drejtohet Macron me fjalët: “Duhet të na kërkoni falje që nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që bëri Presidenti Trump mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”
Një deklaratë me ironi, që i referohet lapsusit të përsëritur të Trump, i cili ngatërroi Shqipërinë me Armeninë në deklaratat e tij për ndërmjetësimin e paqes në Kaukaz.
Sipas Hoxhës, kjo shaka e Ramës është bërë virale jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA, ku është shpërndarë madje edhe nga guvernatori demokrat i Kalifornisë.
“Këtë video e kanë bërë virale në gjithë botën. Guvernatori i Kalifornisë e ka hedhur dhe thotë: ‘Shikoni, amerikanë, si po na përqeshin’. Rama nuk i ka menduar pasojat. Është një stereotip që ai gjithmonë e lëshon. Trump këtë lapsus e ka bërë tre herë, por mediat e kanë trajtuar si gabim njerëzor,” – tha Hoxha.
Ai theksoi se në video, Macron shfaqet duke buzëqeshur me zor dhe më pas u tërhoq nga biseda, ndryshe nga presidenti Aliyev, i cili qeshi me të madhe.
“Macron qesh si me zor, tërhiqet. Aliyev qesh fort. Por Rama harron që nuk po tallet vetëm me Trump, por me një kontekst diplomatik delikat,” – vijoi analisti.
Poli Hoxha shtoi se shumë njerëz që ndjekin gjeopolitikën, po e lidhin këtë sjellje të Ramës me mungesën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një forum që ai zakonisht e konsideron me peshë.
“Mungesa e Ramës në OKB, aty ku ‘vdes’ për tokë neutrale ndërkombëtare, është një sinjal. Ai humbi një shans të madh. Në vend që të ishte në Nju Jork në foto me liderët botërorë, del në Shqipëri me Spiropalin dhe Begajn, duke mbikëqyrur prishjen e llamarinave dhe përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë.”
