Ish- deputeti i LSI, Vangjel Tavo shkruan se qeveria nuk reagoi dhe mori masa pasi u informua më 5 gusht nga ambasada shqiptare në Greqi për masat e reja pasi nuk donte të trazonte rehatinë në pushime.

Tavo thekson se neglizhenca dhe papërgjegjëshmëria e qeverisë shqiptare për rastin e radhëve të gjata në Kakavijë, përbën krim shtetëror dhe SPAK duhet të nisë menjëherë hetimin.

Ai thotë se në 7 vite Edi Rama gjithmonë s’ka mbajtur përgjegjësi dhe ka fajësuar të tjerët si dhe mashtron në mes të ditës dhe tragjedisë.

 

 

STATUSI NGA VANGJEL TAVO 

Situata që u krijua në Kakavijë ku me qindra shtetas dhe familje shqiptare përjetuan ditë e netë tmerri ka vetëm një fajtor:
Qeverinë shqiptare.
E informuar nga Ambasada Shqiptare në Athinë që më 5 gusht, qeveria me pushime nuk e trazoi rehatinë e saj deri në ditën e fundit kur falë medias opinioni publik u njoh me çfarë po ndodhte me shtetasit shqiptarë në Kakavijë.
Pa e prishur terezinë e tij, kryeministri fajësoi njerëzit për radhat e gjata, dhe si gjithmonë drejtoi gishtin për nga autoritetet jashtë kufirit, ndërkohë që ai vetë është fajtori jo vetëm për atë situatë të rëndë humanitare por për shtatë vitet e qeverisjes më të keqe në 30 vitet e fundit.
Për shtatë vite ai ia ka drejtuar gishtin shqiptarëve, Evropës, fqinjve, miqve dhe aleatëve tanë Euro-Atlantik, përveç vetes, fajtorit dhe autorit të vërtetë të gjendjes në të cilën ndodhet vendi.
Me qindra familje shqiptare u ndien si bij të mohuar të këtij vendi pasi kryeministri, njëkohësisht edhe Ministër i Jashtëm, speaker facebook-u dhe ERTV, etj, etj, nuk ka treguar e nuk tregon kurrë përgjegjshmëri shtetërore dhe institucionale. Madje mashtron e gënjen në mes të ditës dhe tragjedisë siç e ka për zakon, siç bëri me videon spanjolle gjatë karantinës e siç bëri edhe sot me lajmin nga Ekathimerini, e cila i përket datës 17 qershor.
Një fëmijë 10 vjeçar humbi jetën, një tjetër 11 muajsh u shpëtua nga një gazetare, e gjithë situata u kthye në një dramë të madhe njerëzore. Ajo që ndodhi ishte një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri shtetërore të cilat përbëjnë krim shtetëror. SPAK të nisë menjëherë hetimin për atë dramë.
Kjo është një qeveri e papërgjegjshme! Qeveri pushimesh që qeveris vetëm me 3D dhe me propagandë. Vetëm flet dhe vjedh shumë. Asnjë përkujdesje ndaj njerëzve të këtij vendi. Qeveri dhe kryeministër pa asnjë ndjenjë njerëzore ndaj shtetasve të vet të cilët duhen larguar sa më parë!
VT

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb