TIRANË- Për ish-deputetin e Partisë Demokratike, gazetarin dhe analistin Mark Marku, qeveria teknike do të shmangte një konflikt pas zgjedhjeve.
I ftuar në studion e News24 për të komentuar protestën e 18 shkurtit të opozitës dhe situatën politike, Marku tha se protesta e djeshme ishte më madhorja që pas atyre të ‘91-shit dhe se opozita iu përgjigj shoqërisë shqiptare.

Marku ka komentuar edhe përplasjen në parlament mes deputetit të PD, Flamur Noka dhe deputetit socialist Erion Braçe. Ndonëse nuk përmendi emra, Marku tha se ka nga ata deputetë që nuk bëjnë asgjë dhe duan të bien në sy vetëm duke treguar forcën.

Marku e cilësoi Nokën “halabak që rrihet për hir të shefave të tij, sepse nuk ka mënyrë tjetër për të tërhequr vëmendjen e mediave”. “Ka disa deputetë aty që rrihen si halabakë në Kuvend për hir të shefave të tyre. Unë mendoj që dhuna nuk është me vend në Kuvend”, tha Marku.

mark marku1

“Isha vetë në protestë. Edhe kur nuk shkoj si protestues, shkoj për të parë frymën, për të parë se çfarë ndjen shoqëria shqiptare për tema të caktuara. Nga protestat ku kam asistuar nga ‘90 e këtej, ndoshta vetëm protesta para 22 marsit ku ka fituar PD-ja ka qenë më e madhja nga sasia. Opozita në Shqipëri është rritur në numër. Nuk mendoj se PD do i kishte aq qytetarë në shesh por duke parë rritjen e pakënaqësive është rritur numri i qytetarëve që duan të protestojnë. Opozita shqiptare në koherencë me shqetësimet e qeverisë”, tha Marku.

Ai u shpreh se protesta e djeshme ishte një protestë e kulturuar por shtoi se tensionet duhen kur qeveritë bëhen të pandjeshme.
“Ishte protestë e kulturuar, nuk kishte ekzagjerime. Ndonjëherë tensionet duhen, sepse kur qeveritë bëhen të pandjeshme, duhet rritur tonaliteti. A po bëhet opozitë e vërtetë me këtë? Dua të them se shoqëria i është përgjigjur kërkesës së opozitës si asnjëherë tjetër. Durimi i qytetarëve ka marrë fund”, tha ai.

Marku deklaroi se krijimi i një qeverie teknike ose një qeverie për zgjedhjet është një zgjidhje politike më se e mundshme.
“Mendoj se nuk ka asnjë problem që të krijohet një qeveri teknike ose një qeveri që të merret vetëm me zgjedhjet. Jemi në një pikë lëvizëse dhe do shohim një dinamikë të re. Nëse kishim një linjë politike që shkonte drejt, tani jemi futur në një dinamikë të re. Kemi prishur zgjedhjet dhe e kemi çuar shoqërisë në konflikt pas zgjedhjeve. Ndaj është më mirë të garantojmë zgjedhjet dhe të mos kemi konflikt. Kështu nuk ka konflikt, ka zgjidhje politike”, tha Marku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: