Kryeministri Edi Rama foli mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, në News24, për raportin e Dick Marty, prej ku i kërkoi sërish kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të dalë dhe të mbajë një qëndrim publik, raporton “BalkanWeb”.

“Unë thjesht kam kërkuar që kryetari i opozitës të shpjegohet. Në momentin kur jo unë, por çdo shqiptar i arsyeshëm, shikon nga njëra anë dëshmitarin nga Kosova, i njohur si personi që filmoi masakrën, dhe nga ana tjetër Lulzim Bashën, kupton menjëherë kush thotë të vërtetën dhe kush jo. Është shumë e qartë. Mjaft të vësh të dy përballë njëri-tjetrit, të dish historitë e tyre dhe e kupton. Nga njëra anë, personi që nuk ka arsye të sajojë dhimbjen dhe nga ana tjetër Lulzim Bashën, që nuk përballet me faktet, nuk është në gjendje të mbajë kostumin e liderit, është një lider i dobët. Edhe Berisha, për të cilin nuk kam asnjë lloj simpatie, por në fund të fundit ishte një lider që mbante qëndrim”, tha Rama.

Nga studio e “Real Story”, kreu i qeverisë komentoi dhe versionin e ish-deputetit socialist, Dashamir Peza, dhënë pak ditë më parë në një intervistë ekskluzive për drejtorin e informacionit të News24, Robert Rakipllari, mbi mënyrën se si përfundoi në BBC kaseta e masakrës së Krushës.

“Nuk jam as hetues, as i interesuar për detaje, unë nuk kam asnjë arsye të besoj që dëshmitari nga Kosova, por edhe të tjerë që kanë folur, kanë ndonjë motiv që t’i turren Lulzim Bashës dhe ta mbulojnë me shpifje. Këtu problemi është lidhur me punën në të shkuarën, pasi Basha nuk ka dalë asnjëherë të flasë qartë se cili ka qenë roli i tij. Gjithë kjo që krijohet si paqartësi, si konfuzion, dhe që njerëzit të ndahen mes patriotëve dhe tradhtarëve, është mungesë e burrërisë së liderit të opozitës në përballjen me faktet. Nuk ka asnjë gjë tjetër këtu, as kam bërë akuza, as kam dashur të përfitoj ndonjë gjë nga kjo”, u shpreh kryeministri shqiptar, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb