TIRANË

Ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi i sheh kushtet e vendosura nga BE për nisjen e negociatave të integrimit me Shqipërinë si nevojë për të risjellë shpresën e të rinjve tek Shqipëria.

Në një koment të bërë në faqen e “Facebook”, Kërpaçi shkruan se ‘egoja për pushtet personal e kësaj qeverie ka bërë që ata të harrojnë shqetësimet dhe kërkesat reale të qytetarëve, të të rinjve dhe të rejave të vendit, duke i vendosur mbi shpatulla pesha shumë të rënda që qytetarët nuk i meritojnë’.

POSTIMI I PLOTË
Në vitin 2009 ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e Bashkimit Europian, por 11 vjet më vonë vendi ynë mbetet shumë larg realizimit të standardeve për integrimin europian.

Egoja për pushtet personal e kësaj qeverie ka bërë që ata të harrojnë shqetësimet dhe kërkesat reale të qytetarëve, të të rinjve dhe të rejave të vendit, duke i vendosur mbi shpatulla pesha shumë të rënda që qytetarët nuk i meritojnë.

Vendimi i datës 19 qershor i Parlamentit Evropian, ishte një vendim historik që i dha një shuplakë të fortë arrogancës, keqqeverisjes dhe propagandës së qeverisë Rama.
Vendimi i PE, dënoi ashpër deklaratat e sjelljen e kryeministrit për të refuzuar përgjegjësinë për 15 kushtet që janë thelbësore për Integrimin Europian. Ndonëse kryeministri shpresonte të përdorte Konferencën e parë ndërqeveritare për PR-in e radhës me ndërkombëtarë, ku edhe pse pa asnjë rezultat konkret do të propagandonte rezultate marramëndëse, 532 votat ”Rama Ik” të eurodeputetëve jo vetëm refuzuan uljen në tryezë me Ramën pa përmbushur detyrat, por kanë krijuar një realitet politik të ri në Shqipëri, që do të prodhojë ndryshim të qeverisjes dhe afrojë më shumë me familjen europiane.

Integrimi i Shqipërisë, më shumë se sa një plotësim dhe anëtarësim formal në familjen europiane, është një integrim i aspiratave, ëndrrave, zhvillimeve dhe veprimeve të shoqërisë sonë, në kulturën e mëndësisë demokratike që karakterizon shoqëritë e shteteve europiane.

E në këtë kontekst, të gjithë jemi të një mendimi, se më së pari kjo i takon të rinjve të sotëm të vendit, të cilët kanë jo vetëm dëshirat por dhe të drejtën të ndihen dhe të trajtohen të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre europiane.

Të rinjtë sot, kudo në çdo qytet të vendit, kanë sjellje me një qasje të qartë integruese, por natyrshëm ngrihet pyetja: a është edhe qeverisja që e ka për detyrë të përmbushë aspiratat e tyre, në të njëjtin krah me ta? A ia lehtëson kjo qeverisje me veprimet dhe vendimet e saj rrugën e gjatë europiane atyre? Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh. Sot qeverisja e pakicës së shqiptarëve, jo vetëm nuk po ja lehtëson këtë rrugëtim, por po ua vështirëson përditë e më shumë.

Dhe në këtë kontekst, nuk kam parasysh vetëm 15 kushtet, që Parlamenti Europian i vendosi kësaj qeverie, ku duhet theksuar që për herë të parë, amendamente izoluese për një vend, votohen edhe nga eurodeputët liberalë, por kam parasysh ato mijëra pengesa që të rinjtë shqiptarë, bashkëmoshatarët e mi, kanë në çdo ditë të jetës së tyre.

Pengesa, që ua vrasin ëndrrat dhe vështirësojnë jetesën, duke i hedhur në skutat e panjohura të emigrimit, njësoj si prindërit e tyre në fund të shekullit të kaluar.
E si mund të flasim për integrim europian, kur sot maturantët ndihen të tradhëtuar, dhe të nëpërkëmbur në një nga të drejtat e tyre për arsim cilësor dhe bashkëkohor?

Si mund të krijojmë kushte integruese për këta të rinj, kur për të ardhmen e tyre merren vendime të tilla dashakeqëse?

Integrimi nuk është çështje thjesht burokratike e datave të samiteve, por është në radhë të parë, qasje e veprimeve për ti bërë të ndihen europianë të rinjtë në vendin tonë, tu krijohen kushte dhe mjedis i lirë, për ti hapur rrugë integrimit real të tyre nesër.

Integrimi është, krijimi i lehtësirave fiskale dhe ekonomike, që të rinjtë e sapodiplomuar, të zhvillojnë idetë e tyre inovatore, duke krijuar në vendin tonë, hapësira europiane të zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik. Vetëm duke krijuar këto kushte për zhvillim europian në Shqipëri, më lehtë dhe vertetësisht do arrihet integrimi ynë.

Nuk duhet të harrojmë, që shtimi i kushteve nga 5 në 15 është produkt i vullnetit të qeverisë për ta dorëzuar shtetin oligarkëve, interesave personale korruptive dhe pasurimit të një grushti njerëzish në kurriz të gjithë të tjerëve. Është ky qëllim i cili ka larguar dhe po largon mijëra të rinj nga vendi ynë dhe mos plotësimi i 15 kushteve na mban larg mundësive për një Shqipëri më të mirë.

Pavarësisht sfidave, ne nuk duhet të rreshtim së besuari te Integrimi në BE si orientim strategjik dhe si rruga që i hap mundësi të reja rinisë shqiptare, në arsim cilësor, punësim të sigurtë e jetë me dinjitet dhe mirëqënie, këtu në shtëpinë e tyre. Kushtet e BE duhen parë jo thjesht e vetëm si një detyrim që duhen përmbushur para vendeve të BE-së, por si domosdoshmëri për të rikthyer besimin dhe shpresën e brezit të ri te potenciali që mbart vendi ynë.

Integrimi sotëm i të rinjve, është garancia sovrane që nesër Shqipëria do të ketë si anëtare e Unionit Europian! Dashuria për vendin dhe vlerat europiane duhet të jenë udhërrëfyesit e politikës Shqiptare për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes❤????

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb