TIRANË

Ish-deputetja e PD Dhurata Çupi e ka cilësuar një fitore të opozitës shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë marrëveshjen e arritur sot për reformën zgjedhore. E ftuar në “Real Story” në News24, Çupi deklaroi se ishte një marrëveshje e kreut të PD-së Lulzim Basha me ndërkombëtarët duke përmendur edhe reagimet e ambasadave.

“Ajo çfarë sot është pozitive për politikën shqiptare është se kjo ishte një marrëveshje e zotit Basha me ndërkombëtarët. Kjo është dhe me deklaratat e përgëzimit nga ambasadat e BE, SHBA e OSBE. Do të veçoja deklaratën e SHBA. Kjo konsiderohet fitore e opozitës shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Kjo është ajo çfarë sot qytetarët shqiptarë kanë prekur, një marrëveshje e opozitës, e zotit Basha me amerikanët, me Bundestagun gjerman për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme.

Viti i fundit është me bilanc pozitiv për opozitën për shkak të një mbështetje të jashtëzakonshme të partnerëve ndërkombëtarë. Pas 30 qershorit kemi deklaratën e Palmer që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe një reformë territoriale dinjitoze”, u shpreh ajo.

Ish-deputetja tha se opozita nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj për sa i përket hetimit për deformimin e proceseve zgjedhore të personave të akuzuar, përfshi dhe deputetin e PS dhe bashkëkryetarin e komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri.

“Damian Gjiknuri duhet të hetohet dhe gjithë ata persona që janë përfshirë në deformimin e proceseve zgjedhore. Këtë nuk e kemi mohuar dhe do vazhdojmë ta themi. Nëse jemi në gjendje krize jemi për shkak të kësaj maxhorance. Kemi një drejtim të vendit në 7 vite që ka pasur vetëm regres”, theksoi Çupi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb