Ish-deputetja e PD-së Lajla Përnaska ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar për kryetare të bashkisë së Tiranës.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Përnaska tha se është e gatshme të marrë përsipër sfidën, pasi ekziston një energji e madhe ne Tiranë që kërkon ndryshimin dhe nuk di ku të kanalizohet.

Ajo foli për situatën në PD dhe theksoi se misionin për të mbështetur PD-në e quan të mbyllur dhe rezultatet kanë qenë të trishta. Për të, nuk është prioritet sigla.

“Unë ndihem realisht keq, e shoh këtë situatë siç është sot. Jam njeri që mundohem të jem me këmbë në tokë, që ta lexoj realitetin siç është. Ky realiteti nuk është premtues. Data e gjyqit është thjesht një moment juridik, por brenda gjithë masës së partisë ka probleme, nga lart deri në bazë.

Në këtë situatë kur e djathta që për mua është një mrekulli, në Shqipëri është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë që mbart shumë vlera, shumë kapacitete profesionale duhet të përfaqësohet.

Këtë përfaqësim brenda kuadrit të sistemit që ne kemi mund t’ia japësh duke krijuar një alternativë brenda garës elektorale.
Jam e gatshme të marr përsipër sfidën e garës për kryetare bashkie në Tiranë.
Është një mundësi dhe mundësia e vetme që të ofron sistemi sot, për t’u bërë direkt vetë pjesë e garës. Unë misionin për të mbështetur PD-në e quaj të mbyllur dhe ka kohë që e kam quajtur të pamundur, rezultatet kanë qenë të trishta. Në këtë kontekst nuk është se është prioritet për mua sigla. Për mua është e rëndësishme të marrim përgjegjësi dhe për të dhënë kontribut. Politikën e kam zgjedhur për bindje, për pasion. Njoh shumë mirë si organizohet një fushatë të suksesshme në Tiranë. Kërkon një impenjim dhe përgjegjësi të nivelit të lartë”, deklaroi Përnaska.

Përnaska tha se jemi në një stad që duhet të hapemi dhe për alternativa.

“Unë mendoj se e kam të gjithë shansin që ta ofroj këtë kapacitet dhe potencial timin në dobi të kësaj gare për t’u ofruar qytetarëve të Tiranës një alternativë. Ka një energji të fortë në qytetin e Tiranës që kërkon ndryshimin, por kjo energji nuk e di ku të kanalizohet. Jemi në një stad që duhet të hapemi dhe për alternativa. Mbështesim një kandidate femër, i ka ardhur koha Tiranës me i dhënë një kandidate femër. Pastaj mendoj se janë votuesit që zgjedhin. ne femrat kemi potenciale të forta, boll punuam për të tjerët”, deklaroi Përnaska.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb