Leonidha Cobo, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania (BPAL) dhe shtetasi italian Massimiliano Calabro, ish-Drejtor Ekzekutiv i kompanisë konsulente “MAB Oil Ltd” janë paditur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Romës, Itali.

Bankers dhe MAB Oil Ltd, një kompani e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, nisën bashkëpunimin në vitin 2009, ku kjo e fundit ofronte shërbime të marketingut, në shitjen në treg të naftës së papërpunuar të prodhuar nga fusha e Patos-Marinzës. “MAB Oil” përfaqësohej nga Drejtori i saj, Z. Massimiliano Calabro. Në vitin 2011, MAB Oil (përmes z. Calabro) ndërmori rolin si menaxher i shitjeve të naftës së papërpunuar të BPAL. Marrëdhënia kontraktuale midis palëve (MAB Oil dhe BPAL) zgjati deri në prill të vitit 2020 pasi Bankers vendosi ta ndërpresë atë.

Hetimet tregojnë se MAB Oil përmes Z. Calabro ka abuzuar me marrëveshjen kontraktuale për të siguruar fitime personale. MAB Oil përmes z. Calabro urdhëroi dhe ekzekutoi pagesa për ish-Drejtorin e BPAL, z. Leonidha Cobo, i cili ka marrë pagesa të paligjshme të njëpasnjëshme dhe të konsiderueshme për një periudhë të gjatë nga ky kontraktor, gjatë kohës që kontrata midis MAB Oil Ltd dhe BPAL ishte në fuqi.
Për më tepër, Calabro dhe Cobo janë përfshirë në një skemë të paligjshme kundër BPAL duke kryer “taktika” të paligjshme përmes përdorimit të informacionit shumë konfidencial dhe njohuritë që ata kishin nga BPAL për të realizuar objektivin e tyre, për të blerë Bankers. Ata janë bashkëthemelues të një kompanie të re të quajtur “Four Force Ventures Energy” (“Four Force”) përmes të cilës u përpoqën të përdorin informacionin konfidencial të Bankers për interesat e tyre vetjake. Përderisa çdo lloj veprimtarie e tillë është e ndaluar me ligj, kjo bazuar në praktikat më të mira të biznesit edhe në marrëveshjen që Z. Cobo dhe MAB Oil Ltd kishin me BPAL, ata kanë thyer qartë detyrimin e besimit ndaj Bankers.

Ish-drejtorët e tjerë të Bankers Petroleum Albania, Suneel Gupta, Justin Kereluk dhe ish-konsulenti juridik Trent Mercier janë gjithashtu bashkëthemelues të kompanisë së re. Four-Force. Ata gjithashtu kanë shkelur etikën profesionale dhe përgjegjësitë ligjore ndaj Bankers në krijimin e kësaj sipërmarrjeje të re.

Z. Calabro dhe Z. Cobo qëllimisht përdorën informacionin për të krijuar përfitime personale, duke e vendosur interesin e tyre mbi BPAL. Akuza tashmë është ngritur dhe do të procedohet nga autoritetet në Itali. Prokuroria në Romë do të hetojë rastin dhe pajtueshmërinë me dispozitat e tatimit mbi të ardhurat, në lidhje me deklaratat tatimore dhe pagesat e konsiderueshme të paligjshme të bëra nga MAB Oil tek ish-drejtori i BPAL Z. Leonidha Cobo gjatë vlefshmërisë së marrëveshjes ndërmjet BPAL dhe MAB Oil vitet 2009-2020.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: