SIRI-Mijëra gra siriane vazhdojnë të vuajnë në zonat e kontrolluara nga regjimi sirian i Bashar al-Asadit, duke përjetuar tmerre të paimagjinueshme, ndërsa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ka thënë për Anadolu Agency (AA) një femër që u ka mbijetuar torturave në burg.

Nur Alhuda Hijazi foli për torturën dhe ngacmimin seksual që ajo vetë duhej ta duronte gjatë burgosjes së saj një mujore në një burg në Damask të Sirisë.

Hijazi është një nga më shumë se 2.500 pjesëmarrëset në Autokolonën Ndërkombëtare të Ndërgjegjes, që nisi të martën nga Stambolli me qëllim ngritjen e vetëdijes për gratë e burgosura nga regjimi sirian.

Autokolona ndërkombëtare që ka për vëmendje gratë në burgjet siriane, që përbëhet nga mbi 50 vende, pritet që sonte vonë të arrijë destinacionin përfundimtar në provincën jugore të Turqisë Hatay pranë kufirit sirian. Hijazi tha se mesazhi i autokolonës “Zëri i grave të shtypura në Siri” ishte jetik për “motrat siriane që ende mbeten në këtë ferr”.

Duke folur rreth përvojës së saj të hidhur që filloi më 25 shtator të vitit 2012, Hijazi kujtoi se ishte arrestuar dhe ishte dërguar në burgun famëkeq të regjimit në Damask, i njohur në vend si 215.

“Gjatë një kurthi të sigurisë ushtarake nga inteligjenca siriane ushtarët më rrëmbyen dhe më futën brenda makinës së tyre, në rrugë para qindra njerëzve”, tha ajo.

Siç shpjegoi Hijazi, tortura e saj filloi në vetë makinën. Ushtarët vazhdimisht e ngacmonin seksualisht atë dhe e ofenduan derisa ajo po dërgohej në burg. Hijazi, një ekonomiste e diplomuar e cila punoi në media para fillimit të luftës në vendin e saj në vitin 2011, tha se më vonë mësoi se arsyeja për rrëmbimin e saj dhe torturën në burgje ishte për shkak se ushtria dëshironte informacion mbi disa njerëz që ajo i njihte.

“Sapo mbërrita në burg ata më zhveshën plotësisht, para se të hyja në burg, për të më inspektuar. Nata ime e parë ishte një natë shumë e vështirë, nuk e disa se çfarë do të ndodhte nesër”, tha Hijazi.

Ajo poashtu ishte e tmerruar kur pa viktimat e tjera femra në qelinë e burgut. Ishin shtatë gra siriane në qelinë 6-mujore, duke përfshirë një grua 65-vjeçare dhe një vazjë 14-vjeçare, e cila ishte përdhunuar në burg dhe e cila tregoi shenja të shtatzënisë.

Dita e parë e marrjes në pyetje 

“Në mëngjes, kur roja më tha të shkoja me të në ditën time të parë, gjaku u ngri në venat e mia. Ai më lidhi sytë dhe duart dhe më çoi në dhomën e marrjes në pyetje”, shprehet Hijazi.

Në dhomë, pasoi një breshëri pyetjesh me kërcënime, duke i kërkuar asaj të jepte informacionin që ajo e dinte se do të ndikonte thellë në numrin e miqve dhe familjes së saj. Por, ajo nuk pranoi të spiunojë.

“Përgjigjet e mia e bënë oficerin të zemëruar. Ai godiste çdo pjesë të trupit tim, ndërsa ushtarët e tjerë ishin ulur në dhomë duke qeshur”, tha Hijazi, e cila kur vazhdoi të refuzojë të lëviz nga vendi, torturuesit filluan ta sulmonin.

Ajo më tej tha se çdo herë që oficeri nuk kishte marrë përgjigje prej saj, është goditur me sy të lidhur dhe pastaj është përdorur edhe goditje elektrike ndaj saj. Pas marrjes në pyetje, ajo do të lihej jashtë korridorit të burgut me duar të lidhura për disa orë, ndërsa të gjithë ata që kalonin e godisnin me shuplakë ose e ofendonin.

“Gjatë shumë ditëve sa u mora në pyetje, unë u kërcënova me përdhunim. Një herë hetuesi i tha njërit prej oficerëve, ‘Merre në një dhomë me pesë oficerë, në mënyrë që ata ta përdhunojnë’. Më kanë bërë të kaloj nëpër një korridor të gjatë. Mbylla sytë duke shpresuar se do të largoheshin. I hapa sytë për të gjetur veten para qelisë pa asnjë ushtar, ata do të përpiqeshin të më rrihnin psiqikisht”, thekson Hijazi.

Siç tha ajo, tortura ndaj saj vazhdoi për shtatë ditë të gjata, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Përfundimisht, ajo hoqi dorë nga disa emra pasi nuk mund të duronte më dhimbjen.

“Pas shtatë ditëve të torturës, u lodha dhe u dhashë disa emra pasi e dija se kjo torturë do të vazhdonte nëse nuk do t’u jepja asgjë”, tha ajo.

Pas 13 ditësh, Hijazi u dërgua në izolim në një qeli rreth dy metra katrorë me një vrimë shumë të vogël për ajër.

Terrori psikologjik 

Edhe kur nuk ishte torturuar fizikisht, ajo ka vuajtur terrorin psikologjik. Ajo dëgjonte vajtimet dhe britmat e viktimave të tjera duke u torturuar pa mëshirë.

“Ushtarët i vendosnin të paraburgosurit para qelisë dhe i rrahnin e torturonin derisa humbnin vetëdijen, pastaj ata derdhnin ujë mbi ta dhe përdornin goditje elektrike me qëllim që të tjerët të dëgjonin zërin e tyre”, tha ajo.

Hijazi u lirua pas një muaj torturash fizike dhe psikologjike më 26 tetor të vitit 2012.

Përderisa ajo e konsideron veten të lumtur që është jashtë, ajo vazhdimisht kujton “mijëra” gra që vazhdojnë të vuajnë në burgje të tilla çdo ditë.

“Unë jam jashtë burgut, por ka gra që i nënshtrohen torturës ditore në burg, mijëra prej tyre dhe askush nuk e dëgjon zërin e tyre”, tha ajo, duke shpresuar se Autokolona Ndërkombëtare në Turqi do të ndihmojë t’i japë një zë këtyre “grave pa zë”.

“U bashkova me Autokolonën e Ndërgjegjes për të dërguar mesazhin tim tek bashkësia ndërkombëtare. Unë po ju kërkoj të merrni masa efektive për të liruar gratë siriane dhe për të mbrojtur të gjitha gratë në zonat e konfliktit. Nëse ne mund ta ndalojmë këtë vuajtje me Autokolonën e Ndërgjegjes sot ne mund ta ndalojmë atë kudo”, tha Hijazi.

Sipas Autokolonës Ndërkombëtare të Ndërgjegjes, aktualisht, mbi 6.700 gra prej të cilave më shumë se 400 janë vajza të reja, mbahen në burgje të drejtuara nga forcat e regjimit sirian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: