Caleb Ekuban, ish-futbollist i Partizanit që këtë sezon aktivizohet te skuadra e Leeds në “Championship”, nuk po arrin të përshtatet në futbollin britanik. Edhe pse pak ditë më parë sulmuesi shënoi golin e parë pas 8 muajsh, sërish te Leeds-i e shohin si një futbollist alternativ pasi nuk i bindin aftësitë e tij.

Për Ekuban ka folur edhe ish-lojtari i Leedsi-t, David Prutton. Në një prononcim të dhënë për “the72.co.uk”, ish-lojtari është shprehur se Ekuban i duhet kohë që të ambientohet me futbollin anglez, pasi ai vjen nga një ligë inferiore, siç është Superiorja.

“Me gjithë respektin që kam për futbollin shqiptar, vërtet menduat që nga Shqipëria, ai do të vinte direkt në Angli dhe do luante në nivelet më të larta? Është shumë e vështirë. A duhet t’i japim një shans? Po. Duhet pak durim. Nëse bëhet një lojtar i madh te Leedsi, atëherë shumë mirë, por nëse jo, adresojeni diku tjetër dhe lëreni të ikë”, ka përfunduar Prutton.

Kujtojmë që me Partizanin, Ekuban kaloi një periudhë shumë të mirë në Shqipëri, teksa shënoi 17 gola në një sezon dhe dha 5 asiste.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb