Dy ristela dërrasë dhe disa batanije për shtroje mbi të cilat qëndron i shtrirë 60-vjeçari Petrit lipo. Ish i përndjekuri politik ka zgjedhur të protestojë në mënyrën më ekstreme nën strehën e pallatit të Kulturës Kamëz për të mos u lagur nga shiu, duke i privuar vetes ushqimin.

Petriti është i papunë dhe si ai e gjithë familja Lipo me 4 anëtarë. Të ardhurat e vetme janë 15 mijë lekë të reja pensioni i të ëmës që nuk i mjaftojnë as për ilaçe e aq më tepër për ushqim.

Faktin që askush nuk i ofron një punë për të mbijetuar Lipo e lidh me diskriminimin racial për shkak të ngjyrës së lëkurës si dhe faktit që rrjedh nga një familje që është përndjekur politikisht gjatë sistemit monist. Petrit Lipo deklaron hapur se është socialist me bindje porse askush nga forca e tij politike si në qendër edhe në bazë nuk është kujdesur në 6 vite qeverisje për ti gjetur një punë sa për mbijetesë.

Në vitin 2012 Petrit Lipo iu bashkua grevës së urisë së ish të burgosurve politikë e cila u mbyll me viktima pas vetëdjegies me benzinë të Lirak Bejkos, ndërsa një tjetër ish-i burgosur u plagos rëndë nga flakët. Në 11 shtator 2013 pas largimit nga pushteti të Partisë Demokratike Petrit Lipo dhe disa ish të burgosur politikë të tjerë të grevës së urisë 2012 u ftuan nga grupi parlamentar socialist të të ndiqnin nga brenda seancën plenare ku do të diskutohej për ta e prej ku morën garanci se do të kishin mbështetjen e qeverisë.

I indinjuar nga ato që i cilëson si mashtrime të politikës në pushtet Lipo kërcënon me vetëdiegie me benzinë nëse nuk reagon kryeministri Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb