TIRANE– Një ish-i përndjekur politik në shenjë proteste kundër një vendimi gjyqësor, është lidhur me zinxhirë në kangjellat e institucionit të ATP-së.

Sipas gazetarit Erjon Skëndaj bëhet fjalë për Dush Martinin. Ai ka kundërshtuar një vlerësim që shteti i ka bërë pronës së tij në Lezhë, ku për 52 dynim tokë është dëmshpërblye me 25 milionë lekë të vjetra.

Mësohet se Martini u shoqërua në Komisariatin nr.2 me pranga në duar, pasi pretendohet nga policia se ai bëri rezistencë.

Kjo nuk është hera e parë që ish-i përndjekuri politik proteston për pronën pasi pretendon se ia kanë vjedhur në mënyrë të padrejtë siç bënë në kohën e regjimit komunist.

Kujtojmë se Dush Martini është një personazh i njohur i përfshirë në protestat e ish-të përndjekurve. Më herët në një intervistë në BalkanWeb ai tregonte kalvarin e vuajtjeve, që nga vjedhja e pronës e deri në vitet e tij në burg. Po ashtu ai është një nga pjesëmarrësit në revoltën e Qafë-Barit.

Ai ka bërë 11 vite burg politik për tentativë arratisje dhe prishje të pronës socialiste.
Martini ka denoncuar po ashtu se të gjithë njerëz që kanë marrë pjesë në dënimin e tij në atë kohë, deri vonë kanë qenë drejtues në gjykate.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb