ÇEKI- Ish-koloneli çek, Marek Obrtel, që mbahet mend pasi u detyrua të kthejë medaljet e NATO-s ka deklaruar se kjo Aleancë është kriminale për shkak të politikës që drejton ndaj shteteve. Obrtel tha gjithashtu se në Kosovë është kryer gjenocid ndaj serbëve.

“Unë mund të them me siguri të plotë që është bërë gjenocid kundër popullit serb. Ne kemi lejuar diçka të tillë të ndodhë në shtëpinë tonë në Evropë”, tha Obrtel, duke theksuar se Kosova është tragjedia më e madhe evropiane.

Gjithashtu, Obrtel tha se Bosnja-Hercegovina nuk ka kaluar më mirë se Kosova sepse “aty mund të shihet më së miri ‘teoria e të barabartit dhe e drejta’ për të dyja palët kundërshtare, pasi që do të vëreni dallimet e thella që ekzistojnë midis Federatës kroato-myslimane dhe Republikës Serbe, natyrisht në kurriz të kësaj të fundit”.

“NATO nuk do të ishte kështu nëse në të vërtetë do të mbronte vetëm shtetet anëtare kundër agresionit të jashtëm, por, ajo drejton politikë vrasëse. Ata veprojnë nën flamurin e rremë të luftës për liri, demokraci, të drejtave të njeriut dhe për qëllime humanitare. Atë e shfrytëzojnë edhe për agresion anembanë botës”, tha Obrtel.

Ai shpjegoi se abuzimi i NATO-s fillon me rastin e sulmimit të ndonjë shteti të papërshtatshëm për organizatën ose sepse kanë interesa hegjemoniste botërore lidhur me këtë vend.

“Së pari, fillojnë fushatën mediatike, rebelojnë popullin e atij vendi, ngatërrojnë shtetin deri në pikën më të ndjeshme, si shembull, bëjnë ndarje etnike apo dallime fetare. Ta themi thjesht, destabilizojnë atë vend”, shtoi Marek.

“Pastaj del në skenë NATO me njësitë e saja, e ndjekur nga organizatat humanitare dhe misionet vëzhguese, si mbrojtës të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në fund, arrijnë biznesmenët dhe fillojnë të rindërtojnë atë vend, përkatësisht realizojnë interesat e tyre”, shpjegoi ai.

Marek Obrtelit, ish-kolonelit të Ushtrisë Çeke, në fund të vitit të kaluar, ministri i mbrojtjes së këtij vendi i kërkoi që të dorëzojë medaljet e fituara në misionet e NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë dhe Afganistan.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb