KAVAJE- Lulzim Berisha, kreu i bandës së Durrësit, ka shijuar për pak orë lirinë nga pankina e stadiumit “Besa” në qytetin e Kavajës. Minikampionati i futbollit midis ekipeve të burgjeve, i nisur një vit më parë, ka kulmuar me ndeshjen e yjeve të Ekipit Kombëtar me futbollistët më të mirë të burgut të Peqinit, Rrogozhinës, Fushë Krujës dhe Lezhës.

Në finalen e zhvilluar në stadiumin “Besa”, krerët e FSHF dhe të Ministrisë së Drejtësisë bënë tifo për ekipin e bardhë – të dënuarit që po vuajnë dënimin në institucione. “Gjithmonë kam qenë tifoz i kombëtares, por sot skuadra ime e zemrës është ajo e bluzave të bardha”- tha Naço. Nga Ekipi Kombëtar zbritën në fushë Zëri, Omuri, Rraklli, Demollari etj.

Ministri shtoi se rreziku për të luajtur një ndeshje futbolli nga të dënuarit me rrrezikshmëri të lartë është i dukshëm, por “do të isha i gatshëm të rrezikoja edhe karrierën time dhe këtë ndeshje nuk do ta pengoja që të realizohej. – tha ai.- Unë dua që ne të ndërtojmë rrugë, shkolla, spitale dhe jo burgje, por duhet ta pranojmë se edhe burgjet janë të nevojshme për qëllimin rehabilitues që ato kanë për personat që kryejnë vepra në konflikt me ligjin,”- theksoi Naço.

E gjithë ndeshja është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Poolicia e burgjeve, Ndërhyrja e Shpejtë dhe komisariati i Policisë së Kavajës, disa orë para ndeshjes, kanë rrethuar stadiumin, ku të pranishëm ishin nxënës nga shkollat e mesme të qytetit.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb