TIRANE- Ish-badigardi i Sali Berishës, Izet Haxhia ka shkruar së fundmi se “po të rihapet çështja e vrasjes së Azem Hajdarit, ish-kreu i SHISH Fatos Klosi do të dridhej sepse do të zbulohej se ka patur gisht në atë ngjarje”. Në përgjigje të kësaj deklarate, Klosi ka thënë në rubrikën “Opinion” në “News 24”, se ai vetë ka kërkuar që të rihapet çështja “Hajdari”.

Nga ana tjetër ai thotë se ish-kryeministrit Berisha nuk i intereson të rihapet kjo çështje.

“Unë kam kërkuar që të rihapet çështja ‘Hajdari’. Se ajo çështje nuk është çuar deri në fund. E kam kërkuar dhe kam përmendur mburrjet që bënte Berisha, me atë e kam se ai ishte shefi i të gjitha gjërave që bëhen në Shqipëri, prandaj nuk kam ndonjë problem personal me të, por di që është përgjegjësi kryesor i gjithë situatave që janë krijuar në Shqipëri, dhe që e kanë dëmtuar këtë vend. Ai para se të vinte në pushtet në 2005 ishte mburrur se do ta ripahte çështjen “Hajdari”, dhe të zbardhjen e vërteta, se e dinte të vërtetën. Se kështu thotë gjithmonë ai, ‘unë e di të vërtetën’. Dhe gjyqtarët tanë nuk guxuan ta merrnin në gjyq, qoftë edhe si njeri që di të vërtetën, pa e akuzuar për asgjë. Kaluan 8 vite që ishte kryeministër, dhe nuk e ka bërë asgjë, nuk e përmendi njëherë. Ndaj unë këtë e kam thënë shumë here, nuk mbeti për ta thënë Izeti, se Berisha nuk e mbajti fjalën. Pse? Se nuk e bën dot, nuk i intereson ta hapë këtë çështje. E bëri për të marrë vota, për t’u treguar i drejtë, për të thënë s’kam gisht unë në atë histori”, tha ai.

Pse sipas jush nuk i është shkuar deri në fund kësaj çështje?
Nuk kanë dalë të gjithë faktorët.

Nuk janë të interesuar asnjë palë?
Atëherë erdhën edhe prokurorë të huaj, për të ndihmuar për atë çështje, me bindjen se prokurorët shqiptarë nuk guxonin të përplaseshin me Berishën. Ky ka qenë motivi. Dhe aty përfundoi, se u dënuan 4 vetë. Pjesëmarrësit ishin zhdukur, motivet janë të paqarta. Ka një motiv kryesor, hakmarrja. Por ata që i ndihmuan ata njerëz që ta realizonin nuk kanë dalë. Se aty ka patur ndihmë.

Por ato që thotë Haxhija…
Unë nuk do kisha dëshirë të komentoja, sepse i japim rëndësi. Nga ana ime nuk meriton t’i përgjigjem. Nuk dua të merrem me një gjë të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb