TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në një takim, numrin dy të qeverisë kosovare, njëherazi edhe Ministër i Jashtëm, Hashim Thaçin. Gjatë takimit Berisha shprehu dhe një herë vlerësimin e tij pozitiv për zgjidhjen e ngërçit të krijuar pas zgjedhjeve me krijimin e koalicionit me bazë të gjerë PDK-LDK.

Sipas ish-kryeministrit Berisha, kjo gjë i jep mundësi qeverisë të procedojë me reformat e nevojshme për integrimet europiane dhe euro-atlantike, sikundër konsideron pozitiv faktin se pavarësisht nga koalicioni i gjerë përsëri Kosova ka një opozitë të fortë parlamentare.

Në takim u diskutua gjerësisht mbi zhvillimet kryesore politike dhe të tjera në Shqipëri dhe në Kosovë. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi e njohu Berishën me objektivat madhore të qeverisë së re dhe vendosmërinë e saj për të çuar përpara proçeset integruese rajonale, europiane dhe euro-atlantike.

Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit shprehën vlerësimin e tyre për rëndësinë e madhe që ka për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, zbatimi i marrëveshjeve të arritura midis Prishtinës dhe Beogradit dhe çuarja përpara të procesit të rëndësishëm të negociatave të Brukselit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb