Ndërsa Institucionet në Maqedoni po hetojnë përgjegjësinë për arratisjen e Nikolla Gruevskit, kryeministri hungarez Viktor Orban i thur  lavde ish-kryeministrit të arratisur. Pavarësisht se Shkupi po kërkon ekstradimin, Orban i del në mbrojtje Gruevskit duke thënë se ai ka ndihmuar Hungarinë gjatë fluksit të refugjatëve.

Sipas Orban, do të kishte qenë thuajse e pamundur mbrojtja e kufijve të Hungarisë pa ndihmën e Gruevskit. Në intervistë për radion hungareze Koshut, kryeministri Orban tha se Gruevski është aleat dhe mik i gjithë popullit të Hungarisë. Ai në asnjë moment nuk ndau informacione me dëgjuesit se me çfarë dokumenti Gruevski ka hyrë në Hungari.

“Ai ishte politikani i parë në Ballkan që ndërtoi një gardh në kufi. Për këtë arsye ne e mendojmë Maqedoninë dhe atë personalisht një aleat. Aleatët trajtohen me sinqeritet.” -tha Orban.

Orban e përshkroi udhëtimin e Gruevskit nëpër Ballkan si një triller emocionues duke këmbëngulur se çështja ishte ligjore, jo politike dhe se qeveria e tij nuk ishte përfshirë në vendimin për dhënien e azilit.  Sipas tij, Hungaria edhe më herët ka strehuar njerëz të rëndësishëm por asnjëherë të kategorisë së Gruevskit. Numri një i ekzekutivit hungarez tha se Gruevski është i përndjekur nga organizatat e Xhorxh Soros në Maqedoni.  Orban tha se nuk do të lejojë që ish kryeministrit Gruevski t’i ndodhin padrejtësi.

Ish-kreu i qeverisë maqedonase Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim detyre, u arratis nga Maqedonia në momentin që duhej të shkonte në burg në vuajtje në dënimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb