Ish- drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ilir Gjoçi, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se detyra kryesore e policisë është parandalimi i krimeve, duke iu referuar atentatit të fundit të ndodhur mbrëmjen e kaluar ndaj Preng Gjinit.

Sipas tij, nga viti 2013 e deri më sot policinë e kanë ‘sakatuar’, pasi kanë hequr nga puna 1300 punonjës.

“Puna kryesore e policisë është parandalimi i krimeve. Nuk është policia që të shkojë këqyrjen e vendngjarjes, të kufomës, etj. Ka ngjarje që ndodhin nga konflikti i castit dhe është shumë e vështirë të parandalohen. Por për ngjarje të tilla të shtrira në kohë, policia ka bërë punë të pamjaftueshme. Në tërësinë e vet, policia duhet të bëjë punën e vet për të parandaluar ngjarjet kriminale. Policinë e kanë cenuar ka 30 vite, por u sakatua më 2013. Nga 2013 e deri më sot janë hequr 1300 punonjës policie, nga nivelet drejtues e deri tek agjentët. Mbi 95% e këtyre njerëzve të hequr nga puna, jam edhe unë, që marrim rrogën nga shtëpia, sepse kemi fituar gjyqet, pasi jemi hequr në mënyrë të padrejtë. Madje kanë vendosur dhe një nen, që na mohojnë të drejtën e rikthimit në punë. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë. Tani kanë futur dhe Vettingun dh kolegët e mi janë nën ethe e kalojnë apo jo, dhe s’e kanë mendjen te puna”, tha Gjoçi.

Nga ana e saj, gazetarja Klodiana Lala renditi disa arsye, që sipas saj, kanë çuar në dështimin e policisë për parandalimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

“Ne kemi specialistë të zonave që paguhen nga taksat tona dhe duhet të dinë me detaje cfarë ndodh aty, jetën e komunitetit që mbulojnë. Për fat të keq specialisti i zonës është larguar nga komuniteti. Kriminelët e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë arritur t’i inkriminojnë këta specialistë. Dikur në zonën e ish-Bllokut, djemtë që pastronin makina i paguante policia dhe jepnin informacione. Bashkëpunëtori tashmë është tërhequr dhe nuk jep më informacion, pasi është thyer besimi mes policisë dhe informatorëve. Ndërrimi shpesh i kupolës së policisë normal që do të çojë në dështim. Një tjetër arsye është se oficerët e policisë janë të keqmenaxhuar, kanë armatim të tmerrshëm, nuk kanë uniformë. Tjetra është inkriminimi i policisë. Kemi gjithashtu përplasjet e forta mes policisë dhe prokurorisë. Të gjitha këto probleme kanë bërë që policia të dështojë në parandalimin e ngjarjeve kriminale”, u shpreh gazetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb