Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, bëri një krahasim mes policisë që drejtonte ai dhe asaj që kemi sot, duke thënë se në kohën e tij është shënuar rekord, ku në një vit kanë kaluar në Itali vetëm 4 kg drogë, si dhe ishte viti kur policia plotësoi të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në NATO.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, ish-rkeypolici Prençi kritikoi ashpër qeverinë e Ramës, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, dhe kreun e policisë, Ardi Veliu, duke thënë se Lleshaj po bën propagandë, ndërsa Veliu është nën tutelën e politikës.
Pjesë nga intervista:

Flitet për riaktivizim të bandave…
Mendoj që këto banda kanë gjetur terrenin e përshtatshëm, pasi jo vetëm nuk ka kapacitete policia, por është duarlidhur. Kjo nuk bëhet me muskuj, se pashë një spot sot që po përgatiteshin forcat speciale, por para se të ketë muskuj policia, duhet të ketë inteligjencën, informacionin kriminal, proceduralistë që të bëjnë hetime dhe së fundi duhen muskujt për të kapur personat e për t’i futur në burg. Kur bëhet kjo punë, nuk rrezikojmë që ata t’i shohim sërish jashtë rrugëve, të dalë nga burgu.

Cili është qyteti më problematik?
Gjithandej, problematik është Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra. Kudo ka probleme me krimin. Në 2005 u goditën shumë banda, por shumica e tyre sot po lirohen. Edhe VKM-në që Rama ka bërë për këtë qëllim, bie ndesh. Nuk kam pikë besimi që mund të ketë sukses. Sukses japin institucione jashtë ndikimeve politike. Këtu kemi bashkëjetesë të krimit me pushtetin, ndaj s’e kam besimin se do jetë e suksesshme kjo iniciativë.

Kur kam qenë unë, kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë. Atashuam oficerë në vendet e Evropës dhe oficerët e tyre janë këtu. Mendoj dhe për ngjarjen e fundit, agjencitë britanike nuk mund të rrinë larg hetimit të kësaj çështjeje. Madje besoj se informacionet e fundit lidhur me ngjarjen i kanë dhënë ata. S’kanë si të kenë besim autoritetet italiane, kur dhjetëra tonelata të zbarojnë atje brenda javës. Besueshmëria është cenuar për policinë shqiptare. Nuk jam shumë dakord me qeverinë dhe policinë, që për çdo deklaratë vepron për ta kundërshtuar.

Reportazhi i Rai3 …
Nuk duhet të vraposh për të kundërshtuar, duhet pranuar gjendja siç është. Ky është gabim i ministrisë dhe Policisë së Shtetit.

Një koment të punës së ministrit Lleshaj dhe Ardi Veliut, ku çalon problemi?
Nga Lleshaj mbaj mend gazin lotsjellës dhe prishjen e shtëpive, duke hedhur gaz lotsjellës fëmijëve që mezi ushqehen. Dhe iniciativën tjetër që deshi me përfshi policinë në ushtri, që e arriti. Këto mbaj mend nga Lleshaj. Veliu është nën tutelën politike, sepse bën emërime jashtë kritereve ligjore. Ai mbase nuk do t’i bëjë këto, por janë ndërhyrjet politike, për ta marrë një kryekomisar, që nuk e meriton. Të merren nga 60 vjeç t’i çosh të përballen me krimin… Hetimi i krimit çalon në të gjitha nivelet e policisë.

Bëjmë një krahasim të kohës…
Kanë qenë punonjës policie të paguar më keq, të veshur më keq, me pajisje më të dobëta se sot, dhe ajo polici arriti që në një vit të kalonin vetëm 4 kg drogë në Itali. Ka qenë viti më i mirë. Ajo polici arriti të plotësojë standardet për vizat për anëtarësimin në NATO. Në bandat që u goditën në gjithë vendin, mendoj se u bë një punë e jashtëzakonshme. Kemi pas problemet tona, por nuk kam mohuar kurrë për drogën që kalonte. Statistikat i kisha në faqen e policisë, të gjithë e dinin çfarë problemesh ka në vend. Ata policë janë prapë në organizatën e policisë dhe prapë e nxjerrin vendin nga kjo situatë, nëse i lë në punën e tyre, të mos iu përzihesh.

Ka ndryshuar diçka për mirë, mosha…
Kjo moshë e re, kemi pas raste që kanë dalë përdorues droge. Procesi i rekrutimit ka shumë problem. Nëse në kohën e time, ka dalë një polic që ka hyrë pa meritë në kurset që bëheshin, të them sikur edhe në një rast të kem ndërhyrë, mbaj përgjegjësi shumë të madhe.

A keni besim te Vettingu në polici?
Unë e kam kundërshtuar që në fillim. Janë dhjetë institucione që kontrollojnë policinë, SHISH, SHÇBA, media, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb