TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm në qeverinë Berisha Besnik Mustafaj ka kërkuar sot dorëheqjen e kreut të PD-së Lulzim Basha nisur nga rezultati paraprak i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën dje në Shqipëri.

Por Mustafaj ka treguar në News24 edhe se pas shprehjes se qëndrimit të tij, kreu i PD-së e ka telefonuar menjëherë duke u shprehur i shqetësuar jo aq për humbjen sa për dekurajimin e numëruesve të opozitës.

“Basha më ka marrë që sot në tel pasi lexoi shkrimin, besoj se reagimi i tij ishte i drejtë. Shqetësimi i tij ishte që të mos demoralizonim komisionerët. Nuk bëmë debat. Nuk do tregoj bisedën. I drejtohem demokratëve që janë në komisione, si numërues apo vëzhgues, nuk duhet të dekurajohen. Detyra e tyre është më e madhe tani në mënyrë që çdo votë e demokratëve të shpëtohet. Shqetësimi i tij është i drejtë sepse dhe unë jam i shqetësuar që këta përfaqësues tanë duhet t’i shkojnë deri në fund procesit. Ne e kemi njohur në vitin 2001 dekurajimin. Besoj se kryesorja tani është që Basha të marrë vendimin që i takon”, tha Mustafaj, raporton “BalkanWeb”.

I pyetur se si e mendon një hyrje në rrugë të drejtë të PD-së, Mustafaj tha: “Unë pretendoj që kreu i PD-së të japë dorëheqjen dhe të largohet nga çdo funksion drejtues i PD-së dhe të shpallë fushatën zgjedhore në PD. Drejtimi i PD-së duhet t’i kalojë ose sekretarit të përgjithshëm ose një strukture të posaçme që mund të krijohet. Ka eksperienca të tilla. PD të futet në fushatë pa ndikime. Nëse vonohet kjo kohë preokupimi është që PD do futet në depresion dhe kjo gjë do ta zvogëlojë dhe më shumë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: