Historiani Paskal Milo, i ftuar në “Real Story”, komentoi trazirat në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Palestinës, rolit që duhet të mbajë Shqipëria në këtë konflikt, si dhe marrëdhëniet e shtetit tonë me Turqinë.

Milo tha se duhet të distancohemi nga Lindja e Mesme, pasi populli shqiptarë është evropian, e si i tillë, duhet t’i drejtoj sytë drejt Evropës.

Ai gjithashtu tregoi edhe qëndrimet që mund të ndjekë kryeministri Edi Rama në këtë mes. Sipas Milos, kryeministri Rama është një njeri pro perëndimor, e kjo sipas tij reflektohet nga edukata dhe formimi i tij.

“Unë do e vendos diskutimin tim në një raport midis identitetit kombëtar dhe evropian të shqiptarëve me interesa të qarqeve të caktuara të cilat qoftë nga pikëpamja emocionale, qoftë edhe të nxitur nga palë të treta, duan të pengojnë këtë proces objektiv të integrimit të shqiptarëve në BE. Është përplasje strategjike për mua, ku shqiptarët pavarësisht nga bindjet fetare, duhet të orientohen drejt këtij objektivi. Ne nuk do të shkojmë në Lindjen e Mesme, nuk do të rikthehemi në Perandorinë Neootomane.

Ne jemi Evropianë dhe kemi të ardhmen Evropiane. Nëse ka shqiptarë që nuk e kuptojnë këtë gjë, duhet të jetë përgjegjësia e tyre. Ky është qëndrim parimor dhe strategjik. Besoj që kryeministri, është tashmë 8 vite kryeministër, ka përvojë të madhe në marrëdhëniet me jashtë, është njeri i hapur. Nuk besoj që kryeministri ynë, sepse e njoh fare mirë.

Nuk besoj që me ndërgjegjen e tij fle ndonjë otoman i vogël. Besoj që është një evropian me tregues të dukshëm të edukatës, formimit. Politika të detyron për fragmatizëm që të bësh detyra historike, të mos japësh mesazhe të drejtpërdrejta, nga ajo që ke në tokë. Politika e jashtme nuk është tregti. Që nga momenti që një shtet e një qeveri e bëjnë politikën e jashtme tregti të rëndomtë, atëherë s’kemi qeveri dhe as shtet.

Nuk besoj që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë të kenë vajtur në një moment të tirë, që të na tregojnë periudhën koloniste, ku një shtet i madh kujdeset për një të vogël. Turqia ka dëshmuar në mjaft raste, që e ka ndihmuar Shqipërinë për traditat, bashkëjetesën, që ka një bashkëpunim, jam dakord. Por do të ishte strategjikisht fatale, nëse ne do të varim sovranitetin e këtij kombi, në çengelin e dikujt tjetër, pavarësisht se na vjen në ndihmë. Ai na vjen në ndihmë si mik, mënyrë humaniste”, tha Milo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: