TIRANE- Arben Imami, një nga hartuesit e Kushtetutës në vitin 1998, ka komentuar situatën politike në vend, ku kryefjala e debatit është zgjedhja e kryeprokurorit të ri.

I ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News24”, Imami theksoi se prokurori i ri mund të jetë i përkohshëm vetëm në rastet e fatkeqësive, ku ndërron jetë, apo edhe kur jep dorëheqje Prokurori i Përgjithshëm.

Mes të tjerash ai theksoi se nuk mund të ketë dialog mes PD-së dhe maxhorancës lidhur me këtë fakt, pasi shkelet hapur Kushtetuta.

PJESE NGA INTERVISTA
Z.Imami, shumë lakohet çështja e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me përfundimin e mandatit të z.Llalla. Ju jeni një ndër hartuesit e Kushtetutës së vitit 1998, doja një koment tuajin në lidhje me këtë, pra me zgjedhjen e pasardhësit të Prokurorit të Përgjithshëm. Si duhet të zgjidhet ai?
Unë do them vetëm një gjë, në fakt po e them për herë të parë. Jo se nuk kam kritikuar artin për të cilin flasim, por po e them qartazi për herë të parë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk ka pushuar së vepruari sot. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka pushuar së ekzistuari në momentin kur ky vend për më shumë se një vit është qeverisur nga një qeveri e paligjshme, anti-konstitucionale, dhe pa vota në Parlament, që është qeveria e zëvendësministrave të Fatos Nanos. Dhe ka pasur një mirëkuptim të plotë nga të gjithë komuniteti ndërkombëtar që në kundërshtim me parimet konstitucionale, një qeveri e cila nuk ka votat në Parlamentin e vendit të vet, të qeverisë me zëvendësministra. Që këtu çdo parim i zgjedhjes, i llogaridhënies dhe i demokracisë ka pushuar së funksionuari. Parimet konstiticionale në Shqipëri janë negociuar sipas interesave të aktorëve politikë të brendshëm dhe të komunitetit ndërkombëtar për të pasur stabilitet në vend. I kthehemi çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm, me këtë besoj e ezaurova mbështetjen që i ka dhënë z.Lu dhe ambasadorja Vlahutin për këtë lloj zgjedhje.

Zgjedhja e një kryeprokurori të përkohshëm është e parashikuar vetëm vetëm në rastet kur do të kishim një forcë madhore, një vdekje, dorëheqje, etj. Mendohej se i gjithë procesi, me ndryshimet kushtetuese edhe ligjore që u bënë për reformën në drejtësi do të shkojë drejt Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Faktikisht ky këshill nuk mblidhet vetëm për një anëtar dhe askush nuk kërkon përgjegjësitë tek ato organizma të cilët bëjnë të mundur zgjedhjen e anëtarit nga organizatat joqeveritare, etj; që është një risi që nuk ka ndodhur në asnjë Kushtetutë serioze, të paktën të vendeve BE, SHBA, etj. Pra zgjedhja në këtë moment është krejtësisht e panevojshme, e paarsyeshme, e kanë demonstuar besoj, dhe provuar me arsyetim juridik shumë të mirë z.Sallaku dhe z.Gjata, dy konstitucionalistë, dhe unë jam tërësisht i së njëjtës mëndje. Në këtë pikëpamje, Partia Demokratike ka plotësisht të drejtë që nuk pranon të ulet për një gjë e cila në thelb është antikushtetuese.

Pra nuk mendoni se tryeza për dialog në lidhje për këtë çështje është funksionale?
Nuk mund të ketë dialog për të shkelur Kushtetutën sikur të thotë cilido ambasador, apo të ngrihet cilado fuqi. Çdo qytetar i këtij vendi ka të drejtën ta kuptojë edhe të veprojë mbi bazën e Kushtetutës, aq më tepër një parti politike.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb