Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar sot një takim me ish-Presidentin Alfred Moisiu.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Lleshaj shkruan vendi dhe shoqëria jonë “kanë nevojë edhe për autoritete morale, për burra dhe gra të cilëve u zë vend fjala dhe u ndiqet shembulli, jo për arsye të ligjit, por për arsye të moralit”.

Mesazhi i Lleshajt:

NJË TAKIM ME PRESIDENTIN MOISIU
Sot e fillova vitin e ri me nje takim mjaft mbresëlënës me Presidentin Alfred Moisu. Diskutuam për shumë çështje të rëndësishme që lidhen me përkrahjen e të rinjve në shërbim të zhvillimit të vendit, për nevojën e promovimit të vlerave profesionale dhe atdhetare në krye të institucioneve shtetërore si dhe për tema të tjera.

Vendi ynë i ka të gjitha autoritetet e nevojshme shtetërore. Madje, për shkak të qarkullimit të shpeshtë, ka me shumicë të tillë. Por këto nuk mjaftojnë kurrësesi për mbarëvajtjen dhe orientimin e një vendi dhe të një shoqërie.

Vendi dhe shoqëria kanë nevojë edhe për autoritete morale, për burra dhe gra të cilëve u zë vend fjala dhe u ndiqet shembulli, jo për arsye të ligjit, por për arsye të moralit.

Presidenti Alfred Moisu është një ndër autoritetet e larta morale të këtij vendi, për arsye të shembullit të treguar dhe standardit të vendosur në ushtrimin me dinjitet të detyrës së kreut të shtetit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb