TIRANË

Ish-ministri i Jashtëm, deputeti i PD-së Tritan Shehu tha se Shqipëria me Serbinë duhet të ketë marrëdhënie shtetërore korrekte, por nuk duhet të tejkalohet qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës.

Ai tha në “Frontline” në News24 se Serbia ka plane të tjera. Janë zgjedhjet e saj, por ne duhet të dimë të bëjmë zgjedhjet tona.

“Ata që përcaktojnë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë politikanët shqiptarë.
Faktori shqiptar në rajon është faktori më i rëndësishëm, qoftë për stabilitetin e rajonit, qoftë për rrugën evropiane të rajonit. Serbia ka plane të tjera. Janë zgjedhjet e saj, por ne duhet të dimë të bëjmë zgjedhjet tona. Ne jemi dhe duhet të jemi për marrëdhënie normale shtetërore me Serbinë, por nuk duhet të tejkalojmë një pikë. Marrëdhëniet e Serbisë ndaj Kosovës, qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Marrëdhënie shtetërore, korrekte me Serbinë, por jo jashtë cakut të marrëdhënies së Serbisë me Kosovën. Mendoj që kjo është një gjë krejt racionale, krejt normale, e drejtë e jona”, tha Shehu.

I pyetur nëse Serbia përdoret si mashë nga Rusia në Open Balkan, Shehu deklaroi:
“Nga Rusia dhe tani ka filluar dhe nga Kina në disa elementë se po armatoset deri në dhëmbë nga Kina dhe Rusia. Ju e patë Lavrovin”.

Sipas tij, Shqipëria duhet të pranojë vetëm projektet europiane.
“Në politikën perëndimore të partnerëve tanë mund të ketë që përpiqen të afrojnë Serbinë. Këto elementë që përdorin si karotë për Serbinë bien ndesh me interesat tona. Ne duhet të mbrojmë interesat tona. Nuk duhet të biem pre.
Lidhja e procesit tonë të integrimit me Maqedoninë e Veriut prapë është vepër e kësaj qeverie sepse u vonua në përmbushjen e standardeve.
Në vend që të insistojmë se ne kemi vetëm projektet euriopiane, ne insistojmë me projektin vuçiçian.
Ne po thellojmë gabimin sepse ne po kalojmë nga kondicionimi me Maqedoninë e Veriut te kondicionimi me Serbinë. Do kalojmë shumë shpejt. Serbia ka rrugën e saj, ne duhet të kemi rrugën tonë.
Rama s’po e ndan nga Maqedonia e Veriut. Kemi 4 vjet që ia themi këtë gjë, s’po e bën. A do e bëjë pas qershorit, tepër vonë. Kemi hyrë në një moment të rrezikshëm, po lidhim fatin tonë me fatin e Serbisë. A do marrim drejtimin e duhur që është vetëm drejtimi europian dhe perëndimor, varet sa i rezistojmë këtyre projekteve. Kosova po reziston shumë qartë, shumë fortë, opozita po i reziston. Situata është e vështirë, po e përsëris jemi në një udhëkryq histori”, tha deputeti i PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb