TIRANE – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 200 mijë lekë gjobë një ish­punonjës policie, të akuzuar për inskenimin e një atentati të armatosur ndaj vetes së tij. “Panorama” shkruan se sipas togave të zeza, për të shtuar besueshmërinë e atentatit ku ka pasur të shtëna arme zjarri, ish¬-polici ka dërguar dhe disa SMS kërcënuese në numrin e tij personal përmes një numri tjetër.

I pandehuri Artan Skura, ish¬-agjent i sektorit të vjedhjeve me armë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, është fajësuar për “kallëzim të rremë” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 17 janar 2014 në hyrjen e pallatit ku ai banonte në Mëzes, Tiranë.

NGJARJA
Sipas vendimit të gjykatës, të shpallur në 10 shtator 2015, Skura pretendoi se është tentuar për t’u vrarë nga një person i panjohur për të teksa po hynte në ashensor. Ai rrëfeu se i ishte kundërpërgjigjur sulmit me armën e tij të punës. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja arme, ndërsa dëshmitarë në zonë, përveç faktit të dëgjimit të krismave, nuk kanë dhënë asnjë të dhënë për autorin.

Pas ekspertimeve tekniko¬balistike rezultoi se një nga gëzhojat ishte qitur nga arma e policit, ndërsa tjetra nga një armë tjetër. Gjatë shpjegimeve të dhëna për ngjarjen, ish¬polici ka rrëfyer se në të njëjtën ditë kishte marrë dhe disa SMS kërcënuese në numrin e tij telefonik, ku dikush i thoshte se “meritonte një dhuratë të bukur”. Hetimi i mëtejshëm i ngjarjes ka zbardhur detaje surprizë për oficerët e policisë gjyqësore.

MASHTRIMI ME SMS-TË
Sipas Gjykatës, ka rezultuar se numri nga ishin dërguar mesazhet kërcënuese i ishte dhënë të pandehurit nga dëshmitari L.S., shitës ambulant numrash telefonikë pak kohë para ngjarjes. Në një ballafaqim mes të dyve, ish¬-polici e ka mohuar këtë fakt. Referuar vendimit, dyshimet për pavërtetësinë e atentatit janë shtuar kur pas ballafaqimit, Artan Skura është larguar jashtë Shqipërisë bashkë me familjen, duke u dorëhequr nga puna dhe duke dorëzuar armën e zjarrit përmes kolegëve të tij në polici.

Gjykata theksonte se familja e të pandehurit ishte larguar përmes kufirit tokësor Shqipëri-Kosovë, ndërsa i pandehuri dyshohet të ketë kaluar ilegalisht kufirin. Kjo për faktin se nuk ka shënime në sistemin TIMS për largimin e tij, ndërsa familjarët kanë deklaruar se ai ndodhet në Gjermani. “Në analizë të provave të mbledhura rezulton e provuar se i pandehuri Artan Skura ka sajuar dhe krijuar prova të rreme, siç është komunikimi me mesazhe dhe ngjarja e datës 17.01.2014, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të ‘kallëzimit të rremë’”, vlerësonte Gjykata në vendimin përfundimtar.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: