TIRANE- Ish-presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, i ka dërguar një mesazh, presidentit shqiptar Bujar Nishani, ku e falënderon për bashkëpunimin e tij gjatë mandatit në krye të KE-së. Barroso ka shprehur kënaqësinë me përparimin në fushën e zgjerimit të BE-së, me vendet e Evropës Juglindore.

“Në ditët e fundit të mandatit tim dhjetëvjeçar si President i Komisionit Evropian, dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin tuaj të dobishëm përgjatë kësaj periudhe intensive, por edhe shumë shpërblyese gjithashtu”, i është drejtuar Barroso, kreut të shtetit.

Më tej ai ka përmendur sfidat me të cilat është përballur Komisioni Evropian që nga nevoja për t’u pajisur me një Traktat të ri, tek trajtimi i krizës financiare globale, që evoluoi në krizë sunduese të borxhit e deri tek përballimi i ndërlikimeve të një rendi të ri botëror që po shfaqej. “Ndihem veçanërisht i kënaqur me përparimin që është shënuar në fushën e zgjerimit. Komisioni Evropian e ka ndihmuar Evropën Juglindore që të përparojë në rrugëtimin e saj evropian, një përparësi strategjike ndaj së cilës unë kam qenë gjithmonë tepër i përkushtuar. Kështu që kam besim se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë të zgjerohet e të thellohet në të ardhmen”, është shprehur në këtë mesazh për presidentin Nishani, ish-kreu i KE-së.

Jose Manuel Barroso, ishte presidenti i 11-të i Komisionit Evropian, ndërsa mandati i tij përfundoi më 31 tetor. Barroso u pasua nga Jean-Claude Juncker.

(Më poshtë mesazhi i plotë i Jose Manuel Barroso për Presidentin Bujar Nishani)

“I dashur Zoti President dhe mik,
Në ditët e fundit të mandatit tim dhjetëvjeçar si President i Komisionit Evropian, dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin tuaj të dobishëm përgjatë kësaj periudhe intensive, por edhe shumë shpërblyese gjithashtu.
Kur hyra në zyrat qendrore të Komisionit Evropian në nëntor të vitit 2004, natyrisht që isha i ndërgjegjshëm se sa kërkuese do të ishte puna, por nuk mund ta kisha parashikuar kurrë se çfarë na priste në të ardhmen.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, Bashkimi Evropian ka kaluar nëpërmjet disa prej kohëve më sfiduese të historisë së tij: që nga nevoja për t’u pajisur me një Traktat të ri, tek trajtimi i krizës financiare globale, që evoluoi në krizë sunduese të borxhit e deri tek përballimi i ndërlikimeve të një rendi të ri botëror që po shfaqej.

Megjithatë, ne ia kemi dalë mbanë me sukses që ta mbajmë Evropën të bashkuar dhe të hapur duke e bërë atë kështu edhe më të fortë. Kemi qëndruar të bashkuar dhe jemi zgjeruar me sukses duke rritur numrin e anëtarëve nga 15 në 28. Kemi përfshirë një mënyrë të re të punuari pas Traktatit të Lisbonës dhe jemi përshtatur për ta përgatitur më mirë bashkimin që të përballet me sfidat dhe të shfrytëzojë mundësitë që sjell globalizimi. Dhe përkundrejt të gjitha shanseve dhe parashikimeve të shumë njerëzve, kemi treguar aftësitë ripërtëritëse të jashtëzakonshme të Bashkimit Evropian nëpërmjet vullnetit politik dhe udhëheqjes.
Kjo ripërtëritje, sidomos përgjatë çasteve më të vështira, nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen e vazhdueshme që shumë vetë i kanë dhënë projektit të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian si një institucion dhe mua vetë, si President i tij.

Ndihem veçanërisht i kënaqur me përparimin që është shënuar në fushën e zgjerimit. Komisioni Evropian e ka ndihmuar Evropën Juglindore që të përparojë në rrugëtimin e saj evropian, një përparësi strategjike ndaj së cilës unë kam qenë gjithmonë tepër i përkushtuar. Kështu që kam besim se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të vazhdojë të zgjerohet e të thellohet në të ardhmen.”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: