Ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko është kthyer sot herët në Ukrainë për t’u përballur me gjykatën për akuzat për tradhti, për të cilat ai beson se janë të motivuara politikisht.

Në aeroportin e Kievit, ku mbërriti nga Varshava mëngjesin e sotëm, Poroshenko u prit nga disa mijëra mbështetës të tij. Disa mbanin pankarta ku shkruhej: “Ne kemi nevojë për demokraci” dhe “Stop represioneve”.

Nga aeroporti, Poroshenko u nis drejt për në gjykatë, e cila do të vendosë nëse do ta caktojë masën e paraburgimit në pritje të hetimeve dhe gjykimit.

Prokurori pretendon se Poroshenko është pronar i korporatës “Roshen” dhe një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës, i cili ishte i përfshirë në shitjen e sasive të mëdha të qymyrit që ndihmoi në financimin e separatistëve të mbështetur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës në periudhën 2014-2015.

Pasuritë e Poroshenkos u ngrinë në kuadër të hetimit ndaj tij rreth akuzave për tradhti të madhe. Nëse shpallet fajtor, ish-presidenti i Ukrainës përballet me 15 vjet burg.

Poroshenko këmbëngul se është i pafajshëm. Ai akuzon pasardhësin e tij, presidentin Volodymyr Zelensky, se kërkon ta diskreditojë atë politikisht për të shmangur vëmendjen nga problemet në Ukrainë, përfshirë problemet ekonomike dhe rritjen e vdekjeve nga COVID-19.// AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb