Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka fituar statusin azilant politik në Itali.

Lajmi është konfirmuar për “BalkanWeb” nga avokati Sokol Hazizaj. “Adriatik Llalla ka fituar azil politik në Itali”, tha ndër të tjera avokati.

Me shumë mundësi, vendimi i marrë nga gjykatat e Romës do të jetë një pengesë për ekstradimin e tij në Shqipëri, pas kërkesës së drejtësisë shqiptare.

Kujtojmë se ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai akuzohet se nuk ka deklaruar një shumë prej rreth 7 mijë dollarësh për lindjen e djalit, shpenzimet që lidhen me ndërtimin e katit të tretë të banesës si dhe shkollimin e vajzës në Gjermani. Gjithashtu ndaj ish-kryeprokurorit gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht bëhet fjale për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë ne periferi të Tiranës. Në vendimin e saj Apeli i GJKKO-së, thotë se ish kryeprokurori për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik. Ish-kryeprokurori Adriatik Llala, i arratisur nga vendi para vendimit të formës së prerë që e dënoi me dy vjet burg për “fshehje të pasurisë”, u arrestua në Itali ne dhjetor te vitit te kaluar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb