NGA: ORNELA MANJANI*
Kompensimi për ish-pronarët për tokë truall, sipas zërit kadastral të vitit 1945 dhe hartës së vlerës së tokës që është në fuqi, do të kryhet me para. Kufiri i caktuar nga ligji është 50 milionë lekë për çdo vendim të njohur. Këshilli i Ministrave ka rregulluar me anë të një vendimi, kufirin e pagesës në lekë dhe atë të kthimit fizikisht të pronës. Kështu, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.133/2015, dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës. Neni 8, pika “a” e ligjit nr. 133/2015, për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, thotë se subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim financiar.

Dy rastet
Qeveria ka përcaktuar se në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën. Në rastin e dytë, kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5% mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi këtë kufi, 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Afatet
ATP-ja, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, shqyrton atë dhe verifikon se kushtet janë konform ligjit. ATP-ja plotëson dhe dokumentet e përcaktuara si dhe ndjek, për realizimin e kësaj procedure, hapat e mëposhtëm: bën botimin në faqen zyrtare të institucionit, në Buletinin e njoftimeve zyrtare dhe/ose në media të të dhënave të tokës, sipas kategorisë dhe vlerës së përcaktuar, duke lënë si afat të paraqitjes së kërkesave nga subjekte të tjera që mund të plotësojnë kërkesat e mësipërme, 30 ditë nga data e botimit: pranon të gjitha kërkesat e paraqitura brenda afatit 30-ditor për këtë truall dhe i shqyrton ato brenda 45 ditëve; merr vendim për kompensim fizik në pronën shtetërore, sipas këtij vendimi, duke respektuar radhën e preferencës, si më poshtë vijon: toka i jepet, si kompensim fizik, subjektit të shpronësuar, të cilit i është njohur ky truall, por nuk i është kthyer, sepse, në kohën e daljes së vendimit përkatës, trualli vlerësohej i zënë ose për shkak të kufizimeve ligjore; toka i jepet subjektit të shpronësuar, nëse plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 32, të këtij vendimi; toka u jepet subjekteve të tjera, të shpronësuara, nëse nuk ka aplikantë, sipas përparësive të përmendura më lart, dhe nëse plotësohet kushti i përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 32 të këtij vendimi. ATP-ja dërgon për regjistrim, në zyrën vendore përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, vendimin e kompensimit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: