Ministri i Shtetit i deleguar nga Mbreti brenda qeverisë së Holandës dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffe ka folur për takimin e delegacionit shqiptar në Holandë.

Ai pohoi se ka dëgjuar me vëmendje interesat e Shqipërisë dhe dëshirën e  saj për të vijuar rrugën për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ish-sekretari i Përgjithshëm shprehet se edhe brenda familjes së madhe të Bashkimit Europian ka të pranishme rryma populiste, të cilat ndikojnë në frenimin e procesit të zgjerimit. Gjithashtu ai porositi qeverinë dhe opozitën që të kujdesen më shumë që imazhi i Shqipërisë të jetë i duhuri në arenën ndërkombëtare.

“Pata një bisedë shumë interesante me Kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, dhe çfarë është më e rëndësishme edhe me përfaqësues të opozitës dhe të qeverisë,  pra ishte një delegacion gjithëpërfshirës, i cili më shpjegoi mua se cilat janë ambiciet e Shqipërisë për sa i përket Integrimit Evropian.

Edhe interlokutorët e mi, ndërmjetësit, pa dyshim kanë kërkuar dhe po kërkojnë për një sinjal nga ana e Bashkimit Evropian që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ka ndaluar.

U tregova atyre se Shqipëria ka një rrugë jo të lehtë  për të përshkuar, jo aq shumë për shkak të Shqipërisë por se në Bashkimin Evropian ka një rrymë populiste të fortë e cila nuk është e favorshme për vendet e reja që ti bashkohen Bashkimit Evropian, kështu që i inkurajova miqtë e mi shqiptarë për misionin e tyre për t’i treguar Bashkimit Evropian se Shqipëria është shumë serioze  me reformat, edhe momenti duhet vijë dhe duhet të arrijë, kur  Shqipëria të marrë sinjalin politik nga Brukseli nga krerët e qeverive dhe shteteve të Bashkimit Europian dhe se procesi i zgjerimit nuk ka ndaluar dhe mendoj dhe kështu duhet të jetë sipas opinionit tim se ambicia  kryesore e politikanëve shqiptarë, qeverisë shqiptare tani dhe të opozitës është të kujdesen që  imazhi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian të jetë i duhuri. Ky është mesazhi im dhe unë u kënaqa shumë me bisedën që pata me miqtë nga Shqipëria”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb