KAVAJE-Gjykata e Kavajës ka dhënë pafajësi për ish-shefin e rendit, Pajtim Muhaj, i cili akuzohej për “ushtrim dhune” gjatë shoqërimit të një qytetari. Pavarësisht kërkesës se prokurorisë për dënim me gjobë, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Luan Lusha, e ka shpallur atë të pafajshëm.

Gjykata ka çmuar të pavlefshme videon e vënë dispozion nga qytetari Llajm Kallcaku, i cili ka bërë edhe kallëzimin ndaj ish shefit të rendit në Kavajë.

Në seancën e fundit qytetari ka dëshmuar edhe një herë atë që shfaqej në video, madje në mbështetje të akuzave të tij është paraqitur edhe një akt ekspertimi nga mjeku ligjor, ku konstatohej dhuna e ushtruar ndaj tij, por as kjo provë nuk është marrë parasysh nga gjykata. Prokuroria në Kavajë nuk bie dakord me vendimin e gjykatës dhe thotë se do të apelojë çështjen.

I njëjti rast sipas organit të akuzës u paraqit edhe në Korçë, teksa efektivi godiste në rrugë qytetarin, por punonjësi i policisë u dënua me punë të detyruar dhe gjobë. Video ku disa efektivë policie në Kavajë dhunuan një qytetar, u publikua një vit më parë nga BalkanWeb dhe News24.

Në të shfaqeshin disa efektivë, ku dy e mbajnë nga krahët qytetarin, një tjetër e godet me shkelma dhe një tjetër qëndron indiferent. Ndërsa më tutje një makinë policie prêt që t’i dorëzohet i shoqëruari. Menjëherë policia pezulloi nga puna dhe ish shefin e rendit, kryeministri falënderoi qytetarin për denoncimin, por dhunuesi sot u shpall i pafajshëm nga gjykata.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb