TIRANE – Presidenti i Republikës ka hapur sot në Presidencë, “Muzeun e Memories”, një ekspozitë me fotografi të viktimave të diktaturës dhe të Shqipërisë nën regjimin e Enver Hoxhës.

Në këtë ekspozitë të hapur në prag të 8 Dhjetorit, Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, Nishani tha ndër të tjera: “Koha jo fort e largët që prodhoi ato pasoja ishte një sistem konkret me mekanizma, kryesisht ideologjik, që përfaqësohej përmes një rrjeti të tërë politik dhe struktura të tjera. Por mekanizmi ekzekutiv dhe më i tmerrshëm ka qenë Sigurimi i Shtetit, që ka qenë ndër më të egrit edhe ndër të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes në Evropë. Dhe në fakt, krimet e kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit janë konkrete, janë madje edhe në shkelje të rëndë të legjislacionit të kohës, të lirive themelore të njeriut dhe në dhunim të parimeve të humanizmit njerëzor.

Unë besoj që përtej mekanizmit ideologjik që meriton gjykimin publik të shoqërisë, mekanizmat represivë, të cilët kanë kryer akte kriminale duhet të njohin përballje ligjore. Ky nuk është revansh. Kjo nuk është hakmarrje. Përkundrazi kjo përbën distancim dhe klasifikim të angazhimeve për të realizuar jo vetëm një platformë, por edhe një realitet të dhunshëm dhe kriminal.”

Presidenti gjithashtu propozoi hapjen e një muzeu të vuajtjes në ato zona që njihen më së shumti për internimin dhe burgosjen e viktimave të diktaturave.

“Ka një borxh në tërësi të institucioneve të shtetit, – tha Nishani më tej, – për të memorizuar dhe për të sjellë të gdhendur në kujtesën e historisë së Shqipërisë këtë periudhë dhe unë sot do të preferojë shumë që të kishim një muze të vuajtjeve dhe të tmerreve që shqiptarët kanë kaluar në Spaç apo në Burrel, në Qafë-Bar apo në Tepelenë, në Gradisht apo diku tjetër, në mënyrë të tillë që t’i referohemi gjithmonë edhe mundësisë së të keqes në këto përmasa. Unë i besoj një parimi: Ne duhet ta memorizojmë të shkuarën, ta memorizojmë fort, të bëjmë pjesë të ndarjes së informacionit, në mënyrë të tillë që së paku të kemi shpirtin e qetë dhe mendjen e kthjellët, për të parë tek ajo që është më kryesorja për ne, tek e ardhmja,” – theksoi Nishani.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb