Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka reaguar lidhur me debatin e ditëve të fundit, në të cilin prokuroria Bujar Sheshi është akuzuar të jetë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, akuza të hedhur poshtë nga ky i fundit.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare Autoriteti i Dosjeve thotë së nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi)”, thekson Autoriteti i Dosjeve.

DEKLARATË

mbi procedurën e zhvilluar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për verifikimin e figurës së pastërtisë së prokurorit  z. Bujar Sheshi, si njëri prej kandidatëve aplikues, për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në zbatim të neni 29 pika 1 gërma(c) të ligjit 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, AIDSSH ka detyrim t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrë.

Në këtë kontekst është paraqitur kërkesë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, e protokolluar në Autoritet më datë 30.10.2018, për të verifikuar pastërtinë e figurës të kandidatit z. Bujar Sheshi, që ka aplikuar për anëtar në KLP nga radhët e prokurorëve, si detyrim ligjor në dispozitat e ligjit 45/2015 dhe ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Menjëherë Autoriteti, më datë 31.10.2018, është vënë në lëvizje me procedurë të përshpejtuar për legjitimitetin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka urdhëruar administratën për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së verifikimit të cilësive etiko-morale dhe profesionale të shtetasit Bujar Sheshi (Shesha), sipas nenit 29, pika 1 dhe 2 të ligjit 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e  ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Pavarësisht faktit të mungesës së një dispozite të veçantë në ligjin 45/2015, për sa i takon afatit kohor të shqyrtimit dhe përmbylljes së procedurës të kërkesave institucionale, të paraqitura nga institucionet kushtetuese apo autoritetet publike, Autoriteti i ka trajtuar, vlerësuar dhe verifikuar me përparësi këto kërkesa dhe në veçanti, kandidaturat për anëtarë në KLP dhe KLGJ të përcjella nga radhët e avokatisë, shoqërisë civile, pedagogë të fakulteteve juridike të universiteteve publike, nga shkolla e magjistraturës, nga radhët e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Për rastin në fjalë, nga administrimi i dokumentacionit që disponojmë dhe nga verifikimet e kryera në fondet arkivore të cilat përmbajnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat ruhen në godina të ndryshme, shumë larg nga zyrat aktuale të AIDSSH, u ndeshëm me ekzistencën e dokumenteve kontradiktore për sa i takon të dhënave për shtetasin Bujar Sheshi, si dhe me faktin e njohjes me dokumentin e tërheqjes në bashkëpunim të shtetasit Bujar Sheshi në moshë të mitur (nën 18 vjeç). Në këtë kontekst, u zhvillua dhe procesi i riverifikimit, përmes Drejtorisë së Gjendjes Civile, të gjeneraliteteve të shtetasit Bujar Sheshi (kontradiktore me të dhënat e shënuara në Formularin e Aplikimit nga vetë z. Sheshi).

Sa më sipër, në referencë të nenit 4, “Parimet” të ligjit 45/2015, në mbrojtje të parimeve të përcaktuara në këtë dispozitë ligjore, por dhe parimit universal për mbrojtjen themelore të të drejtave të njeriut, u vlerësua të kryhet kërkim i thelluar nga administrata, në fondet arkivore të disponueshme nga Autoriteti, për dokumentimin e aktivitetit përmes kërkimit në dosje dhe në procesverbale të asgjësimit dhe në listat e veçimit, duke i qëndruar parimit të ligjshmërisë dhe transparencës në informacionin që duhej t’i jepnim Prokurorisë së Përgjithshme.

Bëjmë me dije se ky kërkim i thelluar në fondet arkivore mori kohën e vet, sepse  kërkimi është realizuar pothuajse në mënyrë manuale. Autoriteti po vazhdon procesin e përpunimit të plotë të dokumenteve dhe po punon për mundësinë e automatizimit të mjeteve të kërkimit. Po ashtu, plotësimi me burimet njerëzore sipas strukturës dhe organikës të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës së ruajtjes do të ndikojë drejtpërsëdrejti në trajtimin e kërkesave në kohë sa më të shkurtër. Të gjitha këto problematika ndikuan në tërësinë e vet në vonesën e mbylljes së procedurës së shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për sa i takon deklaratave apo insinuatave të krijuara nga mediat apo përfaqësues të partive politike, deklarojmë me bindje se vonesa në përgjigjen e Autoritetit për Prokurorinë e Përgjithshme, kurrsesi nuk është e lidhur në mënyrë absolute me qëllim zvarritjen e këtij procesi, por ajo ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me argumentet e sipërcituara dhe me nevojën për nivel sa më të lartë ligjshmërie dhe standard transparence.

Njëherazi, vlerësojmë se publikimi i aktit administrativ nga portale të ndryshme apo media, në rastin konkret, publikimi i vendimit nr.12, datë 22 janar 2019 i Autoritetit, lidhur me dhënien e përgjigjes Prokurorit të Përgjithshëm, për verifikimin e figurës së pastërtisë të z. Bujar Sheshi, si kandidat për anëtar në KLP, i cili përmbante të dhëna personale dhe konfidenciale, jo vetëm që është në kundërshtim me parimet e përcaktuara në Nenin 4 të ligjit 45/2015, por bie ndesh dhe me parimet e përcaktuara në Nenin 8, “Parimi i konfidencialitetit” dhe Nenit 9 “Parimi i mbrojtjes së të dhënave”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb