Objektivi i Arsenalit në merkaton e verës, Armando Broja, do t’i përshtatej shumë mirë filozofisë së Mikel Artetës sipas ish-sulmuesit të “Topçinjve”, Kevin Kampbell. Duke folur për “Football Insider”, Kampbell tha se golashënuesi më i mirë i Sauthemptonit këtë sezon po luan shkëlqyeshëm në huazimin e tij të parë në një klub të Premier Ligës.

Kevin Kembell
Kevin Kembell

Sulmuesi shqiptar i Çelsit ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha me paraqitjet e tij dhe një mes tyre është edhe Arsenali, që ka nisur të monitorojë situatën e talentit. Transferimi i Brojës në “Emirates” shkon në linjën e menaxhimit të teknikut spanjoll, i cili beson më shumë te të rinjtë sesa në investime me shifra të çmendura.

“Problemi me Çelsin është se ata kanë shumë lojtarë në skuadër”, tha Kampbell në lidhje me një rikthim të mundshëm të Brojës në “Stamford Bridge” në fund të sezonit.

“Ata mund të thonë se nuk duan ta shesin te një klub rival. Por nëse ai djalë i ri dëshiron të bëjë një karrierë, ai nuk do të dojë që të shkojë në huazim gjatë gjithë kohës apo të ngecë me rezervat. Ai do të dojë të transferohet. Unë nuk e di se sa i fortë është interesi i Arsenalit, por ai po luan shkëlqyeshëm te Sauthemptoni. Ai është një futbollist i ri, një sulmues me shumë potencial, i cili i shkon për shtat modelit të Arsenalit në këtë moment.

Nuk e di se cili është qëndrimi i Çelsit në lidhje me shitjen e lojtarëve te një rival për vendin e katërt, por Çelsi nuk do ta ketë të mundur që t’i mbajë të gjithë të lumtur këtë verë, kjo është e sigurt”.

Broja1
Broja1

Broja, i cili ka një kontratë deri në vitin 2026 në “Stamford Bridge”, ka shënuar 8 gola këtë sezon në “St Mary’s”, 6 prej të cilëve në Premier Ligë. Çelsi e ka vlerësuar fillimisht me 25 milionë paund kartonin e produktit të akademisë.

Por nëse ai do të vazhdojë të përmirësohet me të tilla margjina deri në fund të sezonit, e sigurt është se kampionët e botës do t’i ndryshojnë pretendimet e tyre për kartonin.

Gati gjysma e Premier Ligës është në gjurmët e Brojës. Sauthemptoni është i gatshëm të paguajë menjëherë shifrën e 25 milionë paundëve, e cila do ta bënte atë transferimin më të shtrenjtë të historisë. Ndërkohë që në Gjermani interesohen edhe dy gjigantët e Bundesligës, Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb