NGA VALENTINA MADANI*

TIRANË- Arjan Adhami, ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha i quan të turpshme dhe të pavërteta deklaratat e kryebashkiakut Erion Veliaj, sipas të cilit ai punon inspektor mishi në Bashkinë e Tiranës. Adhami, i cili ka një përvojë pune prej 31 vitesh në Gardën e Republikës dhe ka kryer të gjitha kualifikimet e duhura thotë për “Gazeta Shqiptare” se prej dy vitesh punon në Bashkinë e Tiranës si specialist në sektorin juridik të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe se asnjë ditë nuk ka punuar si inspektor mishi në këtë institucion.

Z.Adhami, si është e vërteta lidhur me pozicionin tuaj të punës në Bashkinë e Tiranës, pasi emri juaj u përmend nga kryebashkiaku Veliaj sikur punoni inspektor i mishit në këtë institucion?
Duke marrë shkas nga përmendja e emrit tim në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, por edhe nga ajo çfarë shkruan më pas gazetat, sipas të cilave unë kam qenë i punësuar si inspektor mishi në Bashkinë e Tiranës, sqaroj opinionin publik se këto deklarata janë të pavërteta. Unë kam dy vite që punoj si specialist në zyrën juridike të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit që nga dita e parë që jam punësuar në këtë institucion.

Si e konsideroni deklaratën e kryebashkiakut Veliaj?
Është e turpshme, sepse është një gjë e pavërtetë dhe lehtësisht e verifikueshme se ku punoj unë dhe në çfarë sektori. Jam i habitur nga ajo çfarë u tha për mua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Sa vite keni që punoni në këtë sektor?
Kam dy vjet që punoj në Bashkinë e Tiranës dhe që nga fillimi kam qenë i punësuar si specialist në sektorin juridik dhe asnjë ditë nuk kam punuar inspektor i mishit, siç u tha gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak.

Pas deklaratës së z.Veliaj, ju jeni shkarkuar nga puna?
Jo, unë vazhdoj punën në bashki dhe jam po në atë sektor, ku punoj prej dy vitesh.

Pse i gjithë ky sulm ndaj jush?
Nuk e kuptoj. Madje, nuk e kuptoj pse duhet të habiten njerëzit që unë kam një punë. Edhe unë si gjithë të tjetër duhet të punoj diku. Jam lindur dhe rritur në kryeqytet, jam djalë i këtij kryeqyteti, jam shkolluar këtu, kam diplomën e juridikut shtetëror që para 20 vitesh, kam bërë të gjitha kualifikimet e duhura, me master, i licencuar si avokat. Kam 31 vite punë në Gardën e Republikës dhe më takon edhe mua të punoj në institucionet e vendit.

****
Veliaj: Adhami, inspektor mishi në Bashkinë e Tiranës 
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzoi para pak ditësh paraardhësin e tij, Lulzim Basha, se ka bërë emërime politike në institucionet që janë në varësi të bashkisë, duke punësuar persona të lidhur me ish-kryeministrin, Sali Berisha. “Mes tyre – tha Veliaj – është ish-truproja i Berishës në 21 janar (Arjan Adhami); ish-deputeti i PD, Ndue Paluca; drejtoresha e Shërbimit Diplomatik të ish-kryeministrit dhe ish-kryekomunari i PD-së në Berat”. Veliaj ilustroi edhe me foto Arjan Adhamin, për të cilin u shpreh se ka qenë truprojë e Berishës gjatë protestës së 21 janarit të 2011-ës, ndërsa me ardhjen e Lulzim Bashës në krye të bashkisë, ishte emëruar sipas tij inspektor mishi. Kryebashkiaku Veliaj tha se nuk mund të punonte me të emëruar politikë, ndaj me këtë argument iu përgjigj akuzave të këshilltarëve të djathtë në bashki për shkarkimin e 60 punonjësve nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: