Kryeministri i vendit Edi Rama në një konferencë me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, menjëherë pasi përfundoi Konferenca e Donatorëve, deklaroi se falënderon pa masë të gjithë ata që ndihmuan Shqipërinë, pas pasojave nga tërmeti shkatërrimtar.
Rama u shpreh se falënderon vendet e BE dhe të tjerat, që kontribuan me zemër e shpirt për Shqipërinë.
“Kam mirënjohje të jashtëzakonshme dhe të papërshkrueshme për presidenten e Komisionit Europian, e cila është njeriu kyç i donatorëve që janë dhënë sot. Ursula, faleminderit shumë. Nuk do ta harroj kurrë telefonatën tuaj, ndërsa kthehesha nga zonat e dëmtuara rëndë, për të shkuar dhe qëndruar bashkë me ata familje, të cilat humbën praktikisht më shumë se dy të tretat e familjes. Më kujtohet se përtej fjalëve të ngushëllimit, ju premtuat se do të ishit bashkë me mua në këtë përpjekje. Ju më thatë se nuk do të ishit vetëm. Do të këndoja edhe himnin e Liverpulit për ju sot. Më mbush zemrën ajo që ju dëshmuat”, tha Rama.
(d.xh/ Balkanweb)