GJIROKASTËR

Stina e vjeshtës e ka renditur Gjirokastrën në krye të listës së zonave të prekura nga koronavirusi.

Një prej personave, që kanë arritur të mposhtin virusin e rëndë, tregon për gazetaren e “BalkanWeb”, Brikena Metaj, përjetimet e Covid-19, por edhe vështirësitë e përballimit të trajtimit.

Ndonëse nuk ka pranuar të identifikohet, qytetari tregon se virusi i ka nisur me temperaturë të lartë 40 gradë celsius për 3-4 ditë, që i ka ngritur shumë edhe diabetin.

Kjo e ka detyruar atë t’i drejtohet Spitalit Infektiv në Tiranë, ku është kuruar për një javë dhe ku fatmirësisht ia ka dalë ta mposhtë virusin.

“Kjo ishte një sëmundje që nuk është se njihej nga njerëzit, por ishte shumë problematike dhe po të të zinte ishte shumë e vështirë. Temperatura ishte shumë e lartë, mua më arriti deri në 40 dhe për 3-4 ditë nuk më ulej fare. Kjo më ngriti dhe diabetin shumë dhe më detyroi të ikja në Tiranë, në Spitalin Infektiv. Qëndrova gati një javë atje, derisa u qetësova. Ndenjëm 14 ditë të plota, unë bashkë me familjen.

Pavarësisht se isha vetëm unë, nusja dhe fëmijët qëndruan të mbyllur në shtëpi. Unë kisha dhomën time personale. Jemi lidhur gjithmonë me doktoreshën e lagjes, që na ka dhënë kurat që jepen për Covid-in, por punën më të madhe e ka bërë Infektivi në Tiranë. Ishin gjilpëra, që në krye të 3-4 ditëve dhanë efekt. Mua më shkoi diku te 450-500 mijë lekë, me ilaçe, vitamina e qetësues”, rrëfen i shëruari nga virusi i rëndë.

Aktualisht vetëm në rrethin e Gjirokastrës janë aktive 282 raste me Covid-19.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb