Laçi-Kukësi, për vetë pozitat ku ndodhen, është projektuar si një sfidë e cila do të tregojë realisht forcën e dy ekipeve, një ndeshje shumë e rëndësishme për të konfirmuar edhe se kush do të jetë ekipi që do të sfidojë Tiranën në garën për titull. Më shumë se sa për Laçin, kjo është një sfidë jetike për Kukësit, nëse dëshirojnë të qëndrojnë në garë për titull, kjo është një ndeshje që duhet fituar. Trajneri Diego Longo është i vetëdijshëm se përballë kanë ekipin më në formë, por i kanë të gjithë “mjetet” për të marrë pikët e plota:

“E dimë që është një ndeshje e vështirë kundër Laçit. Ne meritonim më shumë pikë në dy ndeshjet e para. Ndoshta 6, të paktën 4. Nuk kemi qenë me fat. Shpresoj që të jetë një ndeshje pa presione të jashtme nesër, uroj që Federata të na ndihmojë neve edhe Laçin, që të luhet futboll i drejtë.

Kemi sulmin më të mirë. Në ndeshjen e parë, që përfundoi në barazim 2-2, pësuam gol në fund pasi një 20-vjeçar nuk e largoi topin në fundore. Në ndeshjen e dytë pësuam dy gola për 25 minuta, por dominuam 75 minuta të ndeshjes. Ishim budallenj për mënyrën se si pësuam golat.

Sfidë personale ndaj Laçit? Ata kanë marrë rezultate të mirë, për momentin Laçi është ekipi më në formë, kanë shumë vetëbesim, por do të tentojmë të marrim rezultat pozitiv.

Qëllimi i ekipit? Qëllimi ynë është përmirësimi në renditje. Kemi shumë besim se do të arrijmë sa më lart në renditje.

Skuadra? Puntus do të bashkohet me ekipin në stërvitje javën e ardhshme. Problem ka edhe për Milunovic, i cili ka tërheqje, por edhe Shkurtaj, i cili ndjeu një pickim në kofshë përpara takimit me Kastriotin. Nuk e di nëse do të jetë gati për nesër, por kemi disa probleme në sulm, por kam alternativa të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb