Policia Kufitare Shëngjin u vjen në ndihmë 4 pushuesve ( 3 prej tyre të mitur) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg.

Gjatë patrullimit të zonës së plazhit, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt për pushuesit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar në det, rreth 1.2 milje larg bregut, dy fëmijë të mitur, me komardare, që kishin mbetur në det të hapur dhe nuk ktheheshin dot në breg. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, i kanë kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare dhe i kanë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, 2 fëmijët (12 dhe 13 vjeç), të cilët ishin larguar në det pa dijeninë e prindërve të tyre.

Gjithashtu, gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin kanë marrë njoftim nga salla operative, se dy shtetas kosovarë (babai me djalin e mitur) rrezikonin të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjetin e tyre lundrues të Policisë Kufitare, për t’u ardhur në ndihmë dy pushuesve, të cilët i kanë gjetur rreth 1 milje larg bregut, konkretisht shtetasin F. L., 45 vjeç dhe djalin e tij 10 vjeç, dhe i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare duke i nxjerrë në breg, në gjëndje të mirë shëndetësore.

Policia Kufitare e Shëngjinit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë në 112?, për çdo rast nevoje për ndihmë, si dhe të denoncojnë në këtë numër dhe në Komisariatin Dixhital? çdo rast paligjshmërie.

Gjithashtu, Policia Kufitare iu bën thirrje prindërve dhe familjarëve që të jenë më të kujdesshëm me fëmijët e tyre, të cilët mund të largohen në distancë të largët nga bregu, me ose pa mjete lundruese, duke e bërë të pamundur kthim e tyre në breg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb