Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit ka krijuar jo pak panik dhe te Shtëpia e të Moshuarve në Kavajë. Drejtori i këtij institucioni, Nertan Bajaziti, tregon në një rrëfim për emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24, si u përjetua tërmeti i fortë nga të moshuarit.

Ai tha se me të rënë tërmeti ka nxjerrë jashtë fëmijët dhe bashkëshorten e tij dhe ka shkuar menjëherë të shohë të moshuarit, të cilët sipas tij, kishin dalë jashtë të tmerruar nga lëkundja.


Intervista e drejtorit të Shtëpisë së të Moshuarve në Kavajë, Nertan Bajaziti:
Si e përjetuat tërmetin, ku ishit?
Së pari shpreh ngushëllimin tim për të gjithë ata që humbën njerëzit e tyre të dashur. Unë ndodhesha në shtëpi, kur ra tërmeti. Ato momente zbrita poshtë me fëmijët dhe bashkëshorten. Erdha të shikoja gjendjen te shtëpia e të moshuarve, se e kemi afër shtëpisë sonë. Këtu nuk kishte dëme, por njerëzit ishin të trembur.


Sa të moshuar janë aty?
Janë 52 të moshuar.


Si i menaxhoni?
Ditën e parë të tërmetit fola me të moshuarit, nuk kishte panik të madh. Pastaj, duke parë që tërmetet vazhduan, u mundova të qëndroja me ta. Nga 52 të moshuar, një pjesë e tyre janë me sëmundje, pashë gjendjen e tyre, por nuk kishte probleme. Kemi 7 të moshuar me probleme shëndetësore, një pjesë tjetër janë më sëmundje, sklerozë, etj. Janë 5 persona që vuajnë nga shëndeti mendor, të tjerët me probleme fizike. Në momentin që ka rënë tërmeti kam ardhur rreth 10-15 minuta më vonë këtu. Ndërtesa këtu është dykatëshe. Për mua ishte qetësi, kur pashë që ndërtesa nuk kishte asnjë problem.

Pati nga ata që refuzuan të dilnin jashtë?
Ambienti këtu ka dhe oborrin jashtë, kemi dhe dy holle në kat të parë e të dytë dhe këtu ishin mbledhur shumica. Shumica e tyre kishin dalë jashtë kur erdha unë.

Kanë familjarë që interesohen për ta?
Shumica e personave kanë. Na kanë telefonuar edhe nga jashtë familjarët e tyre. Por nuk pati nga ata që kërkuan t’i merrnin nga kjo shtëpi. Kemi 4 persona që janë totalisht të braktisur, nuk kanë familjarë. Tani thuajse të gjithë janë të qetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb