Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi ka qenë ditën e sotme, në krye të aksionit, për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar me mjetet motorike në fund të jetës.

ISHMP po ushtron këtë kontroll verifikimi për gjithë subjektet në 12 qarqet e vendit, që kryejnë aktivitetet në tregtimin e pjesëve të këmbimit, apo varreza makinash të vendosura anash akseve nacionale në territorin e Republikës së Shqipërisë

Ky aksion ka filluar rreth 1 muaj më parë bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, datë 30 shtator 2015 “Për miratimin e planit të masave kundër informalitetit të transportit rrugor” si propozim e Ministrisë së Transportit. Ministria e Mjedisit është një nga 5 ministritë të ngarkuar për zbatimin e këtij plani masash.

Inspektorati gjatë këtij muaji ka evidentuar me proces-verbale inspektimi  212 subjekte në total të cilëve ju është bërë njoftim “për lirimin e hapësirave dhe marrjen e masave vullnetare nga ana e subjekteve”.

Nga 212 subjekte sot rezulton se 144 subjekte i kanë larguar vullnetarisht automjetet e vjetra nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin.

“Kërkoj nga inspektorët në rang vendi që të vazhdojnë kontrollin rigoroz dhe të gjithë subjekteve private që të kryejnë zhvendosjen në mënyrë vullnetare brenda afatit. Rrugët nacionale në Shqipëri nuk mund të ofrojnë pamje varreza makinash” – u shpreh gjatë aksionit të sotëm, kreu i ISHMP, Agasi.

Sipas tij, do të vazhdojë kontrolli rigoroz nga ana e Inspektoratit për shpërnguljen e çdo subjekti varreze makinash. Ndërsa ISHMP deklaron se këto subjekte kanë afat që të zhvendosen deri më 31 janar 2016 në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb