Jo vetëm tamponë, por një hetim epidemiologjik te Tirana! Ky është urdhri i Institutit të Shëndetit Publik, që do të izolojë ekipin deri në përfundim të hetimit epidemiologjik, duke i bërë thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të zhvendosë kalendarin e ekipit bardheblu.

“ Më datë 7 qershor (të dielën) do të kryhet testimi për Covid-19 me marrjen e masave nazofaringale (tamponë) për të gjithë ekipin që ka marrë pjesë në aktivitetin e datës 3 qershor (ndeshjen kundër Bylisit). I gjithë stafi do të izolohet deri në fund të hetimit epidemiologjik”, shkruhet në raportin e ISHP-së.

Sipas ISHP-së, kryerja e testeve nëpërmjet tamponëve do të bëhet ditën e diel, kur Tirana do të duhet të udhëtojë drejt Gjirokastrës për t’u ndeshur me Luftëtarin në kuadër të javës së 28-të, çka do të sillte shtyrjen e sfidës në një moment tjetër.

Ndërkohë, Tirana njofton se këto teste do të kryhen nesër dhe se ekipi po vijon normalisht punën për takimin e së dielës.

“KF Tirana ka marrë sot njoftim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku për efekt të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, të kryhet testimi për Covid-19 për të gjithë skuadrën që ka marrë pjesë në ndeshjen FK Bylis – KF Tirana. Testimet nga KF Tirana do të kryhen ditën e shtunë paradite ndërkohë që skuadra gëzon shëndet të plotë dhe vazhdon përgatitjet për ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Luftëtarit,” shkruan në faqen e saj zyrtrare klubi bardheblu.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb