Nga Erjon Skëndaj
TIRANË- Instituti i shëndetit publik ka çelur fushatën e vaksinimit kundër gripit duke vaksinuar të parët vetë punonjësit e institucionit. Drejtues të programit të vaksinimit njoftojnë se ka përfunduar shpërndarja në qendrat shëndetësore të 100 mijë vaksinave që do ofrohen falas për vaksinimin e personelit mjekësor, grave shtatzënë, fëmijëve mbi 9 vjeç dhe të moshuarve mbi 65 vjeç.

ISHP apelon vaksinimin në kohë të popullatës mbi 6 muaj për t’i paraprirë rrezikut të gripit stinor që një vit më parë shkaktoi 16 viktima.

Një vaksinë e bërë në kohën e duhur mund të parandalojë gripin ose në rastin më të keq e dobëson impaktin viral deri aq sa personi i prekur nuk zë shtratin për ditë të tëra nga temperatura apo ethet ose edhe më keq.

Anxhela është punonjëse në Institutin e Shëndetit Publik dhe është ndër parët që i është nënshtruar vaksinimit. E reja thotë se këtë praktikë e aplikon prej 4 vitesh gjatë së cilës nuk e ka ndierë gripin.

Nga data 18 tetor ISHP ka çelur zyrtarisht fushatën e vaksinimit që u ofrohet falas punonjësve të shëndetësisë, fëmijëve mbi 9 vjeç dhe të moshuarve mbi 65 vjeç por prioritet janë gratë shtatzëna që rrezikojnë komplikacione të rënda nëse preken nga gripi gjatë shtatzënisë.

Vaksina për gripin sezonal është e njëjta e përdorur në fund të sezonit të shkuar prodhuar nga Hualan Biological Bacterin Co. Ltd kompani strategjike që operon në republikën e Kinës.

Ekspertë të ISHP thonë se në asnjë rast të përdorimit të saj në popullatën shqiptare vaksina nuk ka prodhuar efekte anësore. Por vaksina antigrip është e këshillueshme për të gjitha duke nisur nga ato pediatrike 0-6 muajsh.

Vaksinimi ndaj gripit rekomandohet të fillojë përpara sezonit të gripit që përkon me muajin nëntor ndaj dhe Instituti i Shëndetit Publik ka nisur vaksinimin e popullatës në risk me qëllim që të jetë e imunizuar në rast të një epidemie të mundshme si ajo e vitit të shkuar që shkaktoi 16 viktima duke shënuar rekordin 22 mijë të prekur në një javë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: