Ish-kandidati për kreun e PS në Durrës Ardit Kërtusha ka folur për dinamikën e sulmit që iu bë sot në ambientet e jashtme të një lokali tek Currilat në Durrës, nga ku u plagos.

Gjatë një prononcimi Abcnews.al, Kërtusha mohon që ngjarja të ketë ndodhur për motive banale apo konflikt të çastit duke deklaruar se ishte atentat i mirëfilltë që do kryhej nga vrasës me pagesë.

Sipas tij, personi ishte me kapuç dhe me dy pistoleta duke qëlluar katër herë, por për fat të mirë pistoleta u bllokua.

“Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-covid, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar tek tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta u bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë. Unë u largova me shpejtësi sapo pash që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit”,-deklaroi Kërtusha.

Ardit Kërtusha është një personazh i njohur i jetës politike në Durrës. Ai ka qenë kryetar i Forumit Euro-socialist Shqiptar (FRESH) për disa vite, ndërkohë që pak kohë më parë kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës.

Pas përplasjeve politike brenda socialistëve, Kërtusha u bashkua me forcat opozitare të drejtuara nga Lulzim Basha. Kërtusha ka akuzuar publikisht zyrtarë e ish-zyrtarë të rëndësishëm socialistë për abuzim me pushtetin.

Kërtusha thotë se edhe më herët ka marrë kërcënime për shkak të denoncimeve dhe ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë e Durrësit./abcnews.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb